Ekonomi

Familjet shqiptare marrin borxh për ushqim

Të ardhurat e familjeve shqiptare bien ndërsa shpenzimet për çdo ditë rriten. Kjo i detyron që të marrin borxh, kryesisht për konsum ku përfshihen ushqimi dhe nevojat të tjera të përditshme. Kjo situatë është evidentuar nga vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve, që kryhet çdo gjashtë muaj nga Banka e Shqipërisë. Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 1.209 familjesh, nga të cilat rreth 56% jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të Shqipërisë. Hulumtimi ka treguar se niveli i të ardhurave të familjeve ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit, ndërsa niveli i shpenzimeve është rritur, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare.

“Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por në rënie krahasuar me një vit më parë. Në 37% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) në formën e produkteve të kredisë dhe në 63% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht para në dorë”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Shqipërisë.