Integrimi

Familje mjekësh

Pothuajse e tërë familja Nevzati ushtrojnë profesione në mjekësi. Ata largimin nga vendlindja e kanë kthyer në një shans për zhvillim

© albinfo.ch: Luljeta Nevzati

Numri i mjekëve dhe i kuadrove të tjera të mjekësisë nga Kosova, të cilët punojnë në Zvicër nuk dihet saktësisht. Projektet për kthimin e kuadrove shëndetësore nga vendet perëndimore për të kontribuuar në sistemin shëndetësor të Kosovës si duket deri tani kanë mbetur vetëm një projekt në letër.

Një shembull të mirë e paraqet familja Nevzati në Cyrih të Zvicrës. Kjo është një familje e tërë mjekësh e specialistësh me prejardhje nga Prizreni. Kryefamiljari Vllaznim Nevzati, fizioterapeut, kishte migruar në Zvicër në vitin 1989. Ai paralajmëron kthimin në vendlindje pas më shumë se 20 vjetësh qëndrimi në Zvicër. Një kthim në Kosovë pa koordinim institucional.

„Kam ardhur në Zvicër për një vit, me mendimin për t’u kthyer në Prizren, për të ndryshuar diçka atje dhe për t’u shërbyer pacientëve shqiptarë“, fillon Vllaznimi tregimin e eksperiencës së tij njëzetvjeçare në Zvicër. Por, pasi në atë kohë gjendja në Kosovë keqësohej dita-ditës, ai së bashku me bashkëshorten Luljetën morën vendim të sjellin edhe familjen në Zvicër. Në fillim, Vllaznimi ishte vendosur në një qytezë të vogël të Obwaldenit, ku pas një viti i bashkëngjitet familja nga Kosova, Luljeta dhe tre djemtë dhe, së bashku kalojnë me vendbanim në Lucern.

Familja Nevzati largimin nga vendlindja e ka kthyer nga brenga në një shans për zhvillim të mëtutjeshëm. Përveç bashkëshortes, Luljetës, e cila në Zvicër erdhi si specialiste e mikrobiologjisë, tani edhe dy nga tre djemtë e tyre kanë ndjekur gjurmët e prindërve. Ariani sikurse edhe babai është fizioterapeut, ndërsa Edini është mjek dhe tani specializant në neurokirurgji. Përjashtim nga tradita mjekësore bëri vetëm Albani, i cili është ekonomist me profesion dhe aktualisht bën karrierë si menaxher në Investment Bank-ën e UBS-it në SHBA, në New York.

© albinfo.ch: Vllaznim Nevzati

Integrimi studimor dhe profesional në Zvicër

Sikur për secilin emigrant, fillimi ishte i vështirë edhe për mantelbardhin nga Kosova. Fizioterapeuti kosovar në fillim kishte punuar si teknik medicinal për të vazhduar pas një viti rrugën e definimit të profesionit, ku është edhe sot, fizioterapeut i specializuar për Osteopathie, Neurorehabilitim, Therapie manuale etj. Ai tanimë udhëheq ordinancën e tij të fizioterapisë në njërën ndër lagjet më prestigjioze të Cyrihut.

Në planet e tij të mëparshme nuk kishte figuruar asnjëherë Zvicra. Mirëpo, këshilla e një miku të ngushtë dhe njëherësh edhe shokut të klasës dhe informata nga ai se ishte një vend i lirë në spitalin kantonal në Sarnen të kantonit Obwalden, e hapën rrugën e migrimit të familjes Nevzati për në Zvicër. Aspak të lehtë nuk e kishte inkuadrimin në strukturat profesionale në Zvicër as specialistja tjetër e familjes, Luljeta Nevzati. Studimet e mjekësisë i kishte përfunduar në Prishtinë, ndërsa specializimin në mikrobiologji si dhe studimet postdiplomike në Zagreb.

Asaj iu desh të dëshmohej edhe në një specializim tjetër në Zvicër, për shkak të rregullave që aplikohen në njohjen e diplomave në këtë vend. Ajo në fillim punoi si mikrobiologe në një laborator të Lucernit. Më vonë i është nënshtruar edhe një provimi pranues për të fituar të drejtën e specializimit. “Nuk kishte në atë kohë kuadro mjekësore shqiptare të mjaftueshme, kështu që na është dashur ta gjenim vetë rrugën tonë”, thotë Luljeta. Në atë kohë ishte shumë vështirë edhe për shkak të paragjykimeve për njerëzit e Ballkanit. Ajo kishte sakrifikuar shumë për t’u mos u zmbrapsur nga synimi që po e realizon edhe sot. Specializimin e parë zviceran (FAMH) në Mikrobiologji e kishte përfunduar në vitin 1996, ndërsa atë për Immunologji (FAMH) në vitin 1998.

Por ballafaqimet e suksesshme të saj me pengesa edhe vështirësi të ndryshme dëshmuan se Luljeta është një femër moderne shqiptare evropiane. Ajo i përballoi këto sfida dhe sot është një shefe dhe specialiste e laboratorit të njohur “Unilabs” në Zürich, vend ky ku bëhen diagnostikimet ndër më të sofistikuarat në mjekësinë bashkëkohore. Për Luljetën, një inkuadrim i suksesshëm në shoqërinë profesionale zvicerane kërkon kompetenca të larta profesionale si dhe sociale, përkushtim, mirëkuptim dhe tolerancë, mirëpo assesi duke mos i harruar vlerat e çmuara shqiptare dhe gjithnjë duke pasur mbështetjen familjare. „Nuk bën të harrohet se nga je, sepse kultura familjare dhe vlerat e kulturës nga vjen të japin fuqinë të punosh edhe më shumë për të arritur atë që ke synuar“, është ky një ndër mesazhet e familjes Nevzati për bashkëvendësit e tyre.

Kontributi për vendlindjen

Vllaznimi dhe Luljeta thonë se vazhdimisht mendojnë për vendlindjen e tyre dhe janë të gatshëm të kontribuojnë në sistemin shëndetësor sa herë që kërkohet nga ta. Ata flasin për shumë shqiptarë, të cilët po tregojnë kualitete të larta dhe dita-ditës po inkuadrohen më shumë në sistemin shëndetësor zviceran. Ndërsa për komunitetin shqiptar në Zvicër thonë se janë duke u bërë hapa pozitivë në integrimin e tij në shoqërinë zvicerane, mirëpo ka ende për t’u bërë dhe secili shqiptar në Zvicër është ambasador i vendit nga vjen. “Kërkohet nga secili të dëshmojë se ne shqiptarët kemi vlera të shquara, ta ngremë kokën lart dhe të jemi pjesë e fortë e shoqërisë ku jetojmë”, thonë mantelbardhët e familjes Nevzati.

Por, portreti për familjen Nevzati nuk përfundon me kaq. Nga prindërit tani shkojmë te gjenerata e dytë. Edhe Ariani, djali më i vogël i familjes, kishte zgjedhur profesionin e babait të tij, është bërë fizioterapeut, lëmi në të cilën ai këtë vit edhe do të magjistrojë. “Është një profesion karakteristik, nuk të lë pa punë kurrë dhe mund të specializosh çka të duash në Zvicër“, thotë 27-vjeçari. Ai punon ne spitalin e Universitetit të Cyrihut.

Ariani është shumë i lidhur me Kosovën. Gjatë muajit mars, me iniciativën e tij, do të shkëmbehen eksperiencat lidhur me punimet shkencore me mjekë kosovarë dhe zviceranë. Lidhur me këtë projekt, ai së bashku me disa mjekë zviceranë do të qëndrojë gjatë muajit mars në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. „Unë do të prezantoj para një auditoriumi mjekësh në Zvicër punimet shkencore të mjekëve kosovarë, të cilët për mendimin tim janë të nivelit“, thotë Ariani.

Mua më vjen keq, thotë Ariani, kur i shoh bashkëmoshatarët e mi shqiptarë që punojnë punë të rënda fizike. Ai thotë se të rinjtë nuk i shfrytëzojnë në mënyrë të mjaftueshme resurset në vendin ku jetojnë, duke mohuar se është i theksuar diskriminimi profesional ndaj shqiptarëve.

Edhe Edinit, nuk i kishte ikur mjekësia. Ai i përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Cyrihut. Mantelabardhi i katërt i familjes Nevzati, duke kryer praktikën në mjekësi ishte përcaktuar që pas studimeve të specializonte në Neurokirurgi. Specializimin po e vazhdon në Qendrën spitalore universitare në Arau. Edhe Edini flet për shumë mjekë shqiptarë në Zvicër. Por, sipas tij, për fat të keq mungojnë statistika të sakta për numrin e tyre.

“Një lobim i fortë i shqiptarëve do të pasqyronte, ndër të tjera, edhe numrin e saktë të mjekëve shqiptarë në Zvicër, por edhe të mjekëve të rinj që për çdo vit vijnë nga Kosova“, tha Edini. Kjo organizatë do të ishte edhe lehtësim për integrimin profesional të kuadrove mjekësore.

Edini është po ashtu edhe basketbollist. Neurokirurgu kishte luajtur në vitin 2003, një vit në ligën e parë të basketbollit zviceran. Edhe këtu kishte ndikuar babai i tij, i cili njihet edhe si basketbollist dhe trajner basketbolli nga Kosova. Në kohë të lirë familja Nevzati shpesh luan bashkë basketboll!