Lajme

Familja e viktimës së parë nga Covid-19 në Gjenevë, hedh në gjyq dy mjekë

Familjarët akuzojnë mjekët se nuk kishin pranuar t’i bënin gruas 31-vjeçare një test për koronavirus, edhe pse ajo ishte diabetike, me mbipeshë dhe shfaqte simptoma

Familja e viktimës së parë Covid-19 në kantonin e Gjenevës ka ngritur padi kundër dy mjekëve në këtë qytet, për vrasje nga pakujdesia, shkruan srf.ch.

Familjarët akuzojnë mjekët se nuk kishin pranuar t’i bënin gruas 31-vjeçare një test për koronavirus, edhe pse ajo ishte diabetike, me mbipeshë dhe shfaqte simptoma.

Prokurori ka hapur një hetim që në muajin mars, transmeton albinfo.ch. Por, familja e viktimës dëshiron të përfshihet në hetime dhe të veprojë si paditëse, konfirmon avokati i familjes.

Me urdhër të punëdhënësit të saj, gruaja, e cila kishte një kollë të vazhdueshme dhe të fortë, kishte shkuar në urgjencë në një spital privat në fillim të marsit. Megjithatë, sipas të afërmve, mjeku në detyrë e qortoi atë sepse ajo e ngarkonte urgjencën duke pasur një grip të thjeshtë, përcjell albinfo.ch. Kështu, ai ishte mjaftuar me përshkrim ilaçesh për gruan në fjalë.

Në ditët në vijim gjendja e gruas ishte përkeqësuar. Ajo ishte këshillua me një mjek të dytë të familjes, i cili i kishte bërë të njëjtën diagnozë sikur i pari. Gruaja kishte vdekur tri ditë më vonë.