Kosova

Familja Dehari insiston në ekspertizën zvicerane

Është bërë një vit nga vdekja e Astrit Dehari, Prokuroria ka pranuar se nuk ka prova që i lidh direkt aktivistët e VV-së me sulmin në Kuvend. Astriti kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, raporton “KTV”.

Familja Dehari përmes mbrojtjes, konsideron se pavarësisht vendimit për të akuzuarit tjerë, nuk mund të gjendet tamam drejtësi për Astritin, përcjell albinfo.ch.

Prokurori i rastit të vdekjes së Astrit Deharit, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Metush Biraj ka konfirmuar se së shpejti do të mbyllen hetimet.

Në Prishtinë, ndërkaq, i është dorëzuar të premten një kërkesë e re Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për ekspertizën e pavarur, për çka Qeveria ka ndarë 50 mijë euro.

“Familja Dehari ka jetuar në Zvicër dhe i besojnë drejtësisë zvicerane. Tashmë është në dorën e kryeministrit Haradinaj nëse do të aprovojë këtë kërkesë ose jo”, ka thënë avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Policia e Prokuroria hetuan rastin duke ngritur aktakuzë pak pas vdekjes së Astrit Deharit për 4 aktivistët e tjerë, që akuzohen për terrorizëm.