Integrimi

“Fair Wil”, peticion për të drejtat e të huajve në procesin politik

350 veta e kanë nënshkruar peticionin, thotë Arbër Bullakaj, kryetar i “Fair Wil”, këshilltar në Asamblenë e Qytetit në të cilin 12 për qind të banorëve janë shqiptarë

Organizata “Fair Wil” e qytetit Wil të kantonit St. Gallen ka inicuar një peticion për të drejtën e pjesëmarrjes së të rinjve dhe të huajve në vendimmarrje. Deri më tash peticionin e kanë nënshkuar 350 persona ndërsa me  400 nënshkrime, peticioni i plotëson kushtet që t`i dorëzohet këshillit të komunës. Ndërkaq, në “Fair Wil” mendojnë se mund t`i mbledhin deri 700-800 nënshkrime.

“Fair Wil” angazhohet për një demokraci korrekte dhe të gjallë në qytetin e Wilit. Sipas saj, aktualisht një pjesë e madhe e popullatës së qytetit është e përjashtuar nga procsi politik: shtetasit zviceranë nën 18 vjeç dhe migrantët. Për ta ndryshuar këtë gjendje, shoqata ka inicuar peticionin me të cilin kërkon që në statutin e komunës të futet një nen që siguron pjesëmarrjen në proces të kategorive të përmendura.

350 veta e kanë nënshkruar peticionin ndërsa tendenca është në rritje, thotë për tagblatt.ch Arbër Bullakaj, kryetar i “Fair Wil”, njëherësh këshilltar në Asamblenë e Qytetit Wil. Të përkujtojmë se rreth 12 për qind të banorëve të këtij qyteti janë shqiptarë.

Ai është i kënaqur me rrjedhën e deritashme edhe pse thotë se kanë konstatuar se popullata ka edhe më shumë nevojë për sqarim. Ka shumë të huaj që janë të pasigurtë nëse kanë të drejtë të nënshkruhen dhe reagojnë të befasuar kur u thuhet se nënshkrimi i tyre është i vlefshëm.

“Deklarimi që e dëgjojmë shpesh se `nuk guxoj të nënshkruaj pasi që unë jam i huaj`na motivon edhe më shumë që të vazhdojmë më tutje”, thotë Bullakaj. Sepse, për kryetarin e shoqatës është e qartë se në një demokraci duhet të bashkohen të gjithë dhe të jenë me vetëdije në mbështetje të saj.

Përqindja e të huajve që kanë nënshkruar është rreth 70%  ndërsa e qytetarëve zviceranë 30%. Këtë disproporcion Bullakaj e shpjegon me faktin se fletëpalosjet dhe formularët për nënshkrime janë shpërndarë më tepër në lokalet që kanë më shumë klientelë me prejardhje të huaj. Për t`iu afruar më tepër shtetasve zviceranë, “Fair Wil” planifikon aksione në qytet me stenda informative dhe aksione tjera. Fillimisht afati i fundit për nënshkrim ishte lënë në përfundim të verës por ndërkohë ai është shtyrë për deri në fund të vitit. Arsyeja për këtë qëndron në aksionet e planifikuara, pasi që tema do diskutim më të gjerë, thotë Bullakaj.

“Fair Wil” tashmë e ka realizuar një synim. Këshilli ndihmës i cili ka përcjellë përpunimin e rregullores së punës të komunës, ka votuar me shumicë dërmuese për pranimin e të drejtës së bashkëpjesëmarrjes në proces politik të të rinjve dhe të huajve. Bullakaj beson se në këtë pikë peticioni ka treguar efektin e tij. Pranimi i nenit për participim do të ishte vetëm baza. Ndërsa më shumë rëndësi do të ketë mënyra se si do të bëhet pastaj jetësimi. Ai dhe Fair Wil  besojnë në një qasje jo të ndërlikuar në bashkëbisedimin politik. Ndërsa, në rast se në statut do të vendosen pengesa që do t`u pamundësojnë të rinjve dhe të huajve bashkëpjesëmarrjen, atëherë objektivi do të jetë i dështuar. Kjo do të ishte pastaj një “hedhje hi syve”, përfundon Bullakaj.