Lajme

Exit-Poll: Socialistët fituan Shqipërinë

Sipas sondazheve të para, Koalicioni i majtë, ka fituar shumicën e 61 bashkive në Shqipëri, duke fituar edhe dy bashkitë më të mëdha, Tiranën dhe Durrësin

Me përqindjen me të vogël të pjesëmarrësve në zgjedhjet pluraliste (47 për qind), Shqipëri ka përmbyllur sonte një proces të rëndësishëm të zgjedhjeve lokale. Në ora 20 janë mbyllur të gjitha qendrat e vendvotimeve, ndërsa menjëherë Exit-Polet kanë nxjerrë fituese krahun e majtë socialist, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Sipas sondazheve të para, Koalicioni i majtë për Shqipërinë Evropiane, ka fituar shumicën e 61 bashkive në Shqipëri, duke fituar edhe dy bashkitë më të mëdha, Tiranën dhe Durrësin. Ndërsa koalicioni i djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet që drejtohet nga Partia Demokratike, ka fituar Shkodrën.

Rezultatet paraprake të “Exit Poll” të “IPR Marketing” dhe televizionit Ora News parashikojnë një fitore të koalicionit të majtë.

Në Tiranë, Erion Veliaj kryeson me  58% ndërsa Halim Kosova, sipas këtij projeksioni merr 38%. Ndërkohë Vangjush Dako po garon kundër kandidates demokrate Grida Duma, e cila në mbyllje të votimeve deklaroi se fitorja në Durrës është e Partisë Demokratike.

Sipas këtyre rezultateve, në Shkodër kryeson koalicioni i djathtë, me kandidaten demokrate Voltana Ademi, e cila garon përballë kandidates se koalicionit të majtë, Keti Bazhdari.

Ndryshe, edhe analistët i kanë dhënë fitore Koalicionit të majtë. Madje ata parashikojnë njërën nga fitoret më të mëdha të Partisë Socialiste prej që Shqipëria është bërë shtet pluralist dhe demokratik.”Kjo do të jetë fitorja më e madhe e PS-së kundrejt PD-së”, deklaroi analisti Baton Haxhiu.

Kryetarja e KQZ, Lefteri Luzi, në deklaratën e parë pas përfundimit të procesit të votimit, ka bërë me dije se procesi shkoi mirë, pa probleme dhe me një pjesëmarrje mbi 47për qind.

“Mbyllja e procesit shkoi mirë dhe sipas orarit, përveç Vlorës dhe Shkodrës ku pati radhë votuesish. Rreth orës 19:50 janë kryer procedurat për mbylljen e qendrave dhe për dorëzimin e kutive dhe materialeve zgjedhore në vendet e numërimit”, ka deklaruar Luzi, sipas të cilës, pjesëmarrja ka qenë në kuotën 47.62 për qind.

Kryetarja e KQZ-së ka theksuar se, procesi po monitorohet dhe vijon normalisht dhe u ka bërë thirrje numëruesve që të tregojnë përgjegjshmëri me menaxhimin e materialeve të votimit.

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj, falënderon gjithë votuesit për mbështetjen e tij. Ai shprehu mirënjohje edhe për gjithë numëruesit që do administrojnë rezultatet.

“Faleminderit nga zemra! Dua t’u shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që votuan sot dhe ushtruan vullnetin qytetar për ta çuar Tiranën në ‪drejtimin e duhur. Mirënjohje e veçantë edhe për të gjithë numëruesit që do të administrojnë gjatë natës së sotme fitoren tonë!”, deklaroi ai.

Pak pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit, kryeministri Edi Rama ka falënderuar përmes

rrjeteve sociale të gjithë qytetarët që morën pjesën në proces. “I falënderoj dhe iu shpreh me përulësi mirënjohjen të gjithë atyre që me votën e tyre e investuan besimin te kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, shkruan Rama.

Ndryshe, këto kanë qenë zgjedhjet e para pas miratimit të reformës territoriale, e cila reduktoi në 61 bashki numrin e njësive vendore. Në rang vendi janë ngritur 5299 qendra votimi. Tirana ka qenë bashkia me numrin më të madh me 864 qendra të votuesve, ndërsa bashkia me numrin më të vogël të qendrave të votimit është Poliçani, me 26 të tilla.

Këto zgjedhje do të monitorohen nga rreth 3 mijë vëzhgues, ndërsa ODIHR i ka 274 vëzhgues. Në garë kanë qenë 63 parti politike ndërsa të drejtën për votë e kanë pasur rreth 3. 3 milionë shqiptarë.

.