Lajme

Evropa goditet nga të ftohtit ekstrem, me stuhi dhe përmbytje

Disa nga temperaturat më të ulëta deri më tani këtë dimër u regjistruan të mërkurën në vendet nordike, baltike dhe në Rusi, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Evropa përjetoi kontraste të forta të motit të mërkurën, me të ftohtin ekstrem dhe stuhitë e borës që penguan transportin dhe mbyllën shkollat në Skandinavi.

Ndërkohë, erërat e forta dhe shirat e dendur në Evropën Perëndimore shkaktuan përmbytje dhe të paktën një vdekje.

Temperaturat ranë nën minus 40 gradë Celsius në rajonin nordik për të dytën ditë radhazi të mërkurën.

Në Laplandën suedeze, merkuri ra në minus 43.6 C, temperatura më e ulët e janarit e regjistruar në Suedi në 25 vjet, njoftoi agjencia suedeze e lajmeve TT.

Dhe këto ishin disa nga temperaturat më të ftohta globale të regjistruara deri më tani këtë dimër.

Banorët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë gjithashtu ndjenë të ftohtin e madh.

Temperaturat jashtëzakonisht të ftohta, bora dhe erërat e forta penguan transportin në të gjithë rajonin nordik, me disa ura të mbyllura dhe disa shërbime të trenave dhe trageteve të pezulluara.

Disa shkolla në Skandinavi u mbyllën, gjithashtu.

Policia në pjesën më të madhe të Danimarkës u bëri thirrje shoferëve të shmangin udhëtimet e panevojshme pasi era dhe bora goditën pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Vala e ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut ka përfshirë gjithashtu Rusinë perëndimore, me temperaturat në Moskë dhe zona të tjera që kanë rënë në minus 30 gradë Celsius – shumë nën temperaturën mesatare për fillim të janarit.

Zyrtarët në Moskë, Shën Petersburg dhe zona të tjera kanë lëshuar paralajmërime portokalli të motit, duke paralajmëruar banorët kundër rreziqeve të mundshme shëndetësore.

Ndërkohë moti i butë, por me lagështi dhe me erë mbizotëroi më në jug, ku një stuhi bëri kërdi në pjesë të Evropës Perëndimore.

Në Britani, një shofer humbi jetën pasi një pemë ra mbi makinën e tij në Anglinë perëndimore.

Policia e Gloucestershire tha se burri vdiq në incidentin pranë qytetit të Kemble të martën pasdite.

Stuhia, e cila është quajtur Henk nga shërbimet zyrtare të motit të Britanisë, Irlandës dhe Holandës, ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, probleme transporti, dëmtime pronësore dhe të tjera probleme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Më shumë se 300 paralajmërime për përmbytje ishin në fuqi në të gjithë Anglinë dhe Uellsin të mërkurën, ndërsa 10,000 shtëpi mbetën pa energji elektrike.

Në Holandë, policia pranë qytetit të Eindhoven tha se erërat e forta mund të kenë luajtur një rol në vdekjen e një 75-vjeçari, i cili ra nga biçikleta të martën vonë pasi erërat e forta goditën pjesën më të madhe të vendit.

E në Francë, shirat e dendur kanë goditur rajonet veriore Pas-de-Calais dhe Nord që nga e diela, duke detyruar evakuimin e rreth 200 njerëzve dhe ndërprerjen e energjisë për 10,000 familje, sipas autoriteteve lokale.

Shërbimi kombëtar i motit mbajti paralajmërime për përmbytje dhe erë të enjten për disa rajone në të gjithë Francën veriore dhe në kufijtë e saj me Belgjikën, Luksemburgun dhe Gjermaninë, me më shumë shira të parashikuara së bashku me erëra deri në 100 km/orë.

Pjesë të Gjermanisë po përballeshin gjithashtu me përmbytjet, të cilat mund të përkeqësohen nga shirat që bien në shtetin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme të prekur më keq.