Kosova

Eurodeputetët kërkojnë nga Macron dhe Rutte liberalizimin e vizave për Kosovën

Më shumë se 40 deputetë të Parlamentit Evropian u kanë shkruar letra presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, përmes së cilave kërkojnë që BE-ja të liberalizojë vizat me Kosovën.

Këta dy liderë të vendeve anëtare të BE-së, konsiderohen si kundërshtarët më të fuqishëm të liberalizimit të vizave me Kosovës, sepse vendet e tyre nuk e kanë mbështetur një vendim të tillë në Këshillin e BE-së.

“BE-ja është duke u përpjekur që të luaj rolin e një ndërmjetësi të paanshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur nëse ne vazhdojmë t’i trajtojmë qytetarët e këtyre dy vendeve në mënyra të ndryshme, duke u ofruar udhëtim të lirë qytetarëve të Serbisë dhe duke u vendosur pengesa për të gëzuar të njëjtën mundësi atyre të Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Eurodeputetët e mbrojnë qëndrimin e tyre në faktin se Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe se Parlamenti e ka mbështetur këtë.

Ata thonë se tash BE-ja duhet të përmbyll procesin dhe të liberalizoj vizat për qytetarët e Kosovës, duke rikujtuar se ky proces është vonuar shumë./rel