Futboll
EURO 2024: 99 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian
Kanë mbetur edhe 99 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian në futboll. Tani dihen emrat e 21 nga 24 skuadrat që do të marrin pjesë në turneun e Gjermanisë. Nikoqiri është i kualifikuar automatikisht. Ndërsa 20 ekipe të tjera fituan të drejtën e paraqitjes në garë pas ndeshjeve në grupe. Së shpejti, pas playoffs, do të dihen emrat edhe të ekipeve të tjera pjesëmarrëse. Për tre vendet e mbetura do të garojnë 12 ekipe: Polonia, Estonia, Uellsi, Finlanda, Bosnjë e Hercegovina, Izraeli, Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Luksemburgu, Greqia dhe Kazakistani. Në fund të marsit do të luhen tre mini-turne ku do të vendoset se cilat skuadra do të kualifikohen në EURO 2024.
Formati i Kampionatit Evropian 2024 është identik me Kampionatin e vitit 2020. Skuadrat do të ndahen në gjashtë grupe (nga katër kombëtare). Dy skuadrat e para nga grupet dhe katër skuadrat më të mira në vendin e tretë kualifikohen në raundin e 16-tës. Ndeshjet do të luhen në dhjetë stadiume në Gjermani. Ndeshjet fillojnë në orën 15:00, 18:00 dhe 21:00, sipas kohës në Gjermani. Turneu hapet me ngeshjen Gjermani-Skoci, më 14 qershor në Mynih. Finalja luhet saktësisht një muaj më vonë në stadiumin olimpik të Berlinit.
Në renditjen aktuale të FIFA-s, kombëtarja gjermane e futbollit është në vendin e 16-të, që është një rezultat i dobët për këtë ekip. Renditja kaq e dobët është rezultat i disa viteve të pasuksesshme të fundit, domethënë rezultateve të dobëta të ekipit gjerman në kohën e trajnerëve Joachim Löw dhe Hansi Flick. Midis 2006 dhe 2016, Gjermania ishte në mesin e katër skuadrave më të mira në çdo kampionat evropian apo botëror. Përfshirë këtu edhe triumfin e madh të vitit 2014 – kur “Elf” gjerman (njëmbëdhjetëshja gjermane) fitoi titullin e kampionit botëror. Kjo u pasua nga një rënie e madhe. Në Kampionatin Evropian 2020, Gjermania u mund në fazën e 16-tës (nga Anglia). Edhe në Kupat e Botës 2018 dhe 2022 pati një dështim total të ekipit gjerman, sepse gjermanët u eliminuan nga këto dy turne pas fazës së garave në grupe.
Trajneri i ri Julian Nagelsmann është zgjedhur në këtë post në shtatorin e kaluar. Ai pati me ekipin një fazë të shkurtër euforie. Por, ish-trajneri i Bayernit ka shënuar ndërkohë një rekord negativ në katër paraqitjet e tij të para – një fitore kundër SHBA-së, një barazim kundër Meksikës dhe dy humbje kundër Turqisë dhe Austrisë. Skuadra gjermane ka lojtarë jashtëzakonisht cilësorë, për këtë nuk ka dyshim. Por disa nga shtyllat kryesore të ekipit, si Joshua Kimmich apo Leon Goretzka, nuk janë në formë të mirë. Tifozët shpresojnë që rikthimi i Toni Kroos në kombëtare do të ndihmojë në stabilizimin e skuadrës gjermane.
Trajneri Nagelsmann thotë se problemi kryesor i skuadrës është mentaliteti. “Ne prej vitesh po shohim se Gjermania ka pasur dështime. Më në fund duhet të fillojmë të punojmë për futbollin.” Lojtarët e kombëtares gjermane së shpejti do të kenë mundësinë të dëshmohen: Më 23 mars do të zhvillohet ndeshja miqësore kundër Francës, e tre ditë më vonë kundër Holandës.
Cili është disponimi në Gjermani përpara turneut?
Pavarësisht rezultateve zhgënjyese në paraqitjet e fundit, ka shumë shpresë se EURO 2024 mund të jetë një ekstravagancë futbolli e ngjashme me Kupën e Botës 2006 në Gjermani. Drejtori i turneut Philipp Lahm deklaroi në një intervistë për DW: “Lojtarët duhet të identifikohen me kombëtaren, duhet të demonstrojnë afërsi me tifozët, duhet të tregojnë pasion për fanellën e Gjermanisë. Kjo është detyra e tyre kryesore”. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, beson se “skuadra kombëtare do të kënaqë tifozët e saj në EURO 2024”.
Por drejtori sportiv i DFB-së, Rudi Völler, në shtator të vitit të kaluar tha se ka shumë vend për përmirësim në lidhje me qëndrimin e gjermanëve ndaj turneut, veçanërisht në disa qarqe politike. “Shumë nuk e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është EURO 2024, që është i ngjashëm me KB 2006 – përrallën tonë verore,” kritikoi Völler në një intervistë për revistën Stern. “Ne kemi një turne në mes të Evropës, çdo stadium do të jetë plot, Gjermania mund të paraqitet si një vend i hapur, mikpritës. E për të pasur sukses, duhet të përfshihet edhe politika”.
A është e garantuar siguria?
EURO 2024 në Gjermani do të mbahet në një kohë shumë të rëndë politike. Kjo është arsyeja pse presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin pranoi në një intervistë për gazetën angleze Telegraph se “siguria është shqetësimi më i madh” për të. Slloveni është takuar ndërkohë dy herë me ministren federale të Brendshme, Nancy Faeser me të cilën ka biseduar për sigurinë. Ai thotë se autoritetet gjermane janë “shumë të vendosura për të na ndihmuar” dhe shtoi se “çdo gjë do të jetë në rregull”.
Koncepti i sigurisë për turneun u prezantua në janar dhe është mbështetur gjerësisht. Sekretarja e shtetit në ministrinë e Brendshme, Juliane Seifert, tha për agjencinë e lajmeve, dpa se çështja e sigurisë “do të jetë një prioritet për ministrinë dhe për qeverinë federale”. “Është e qartë se po jetojmë në kohë shumë sfiduese, veçanërisht për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ose për shkak të luftës në Rripin e Gazës, si dhe për shkak të sfidave të reja, për shembull, sulmeve kibernetike.
Në DFB janë shumë më të relaksuar: “Uroj që ky KE të ketë efekt pozitiv sidomos në mendjen e njerëzve”, tha drejtori Andreas Rettig. “Sa i përket sigurisë, mund t’u them të gjithëve se askush nuk duhet të shqetësohet për këtë”. Megjithatë, kualifikimi i mundshëm i Izraelit ose Ukrainës në EURO 2024 mund të rezultojë me intensifikimin e dukshëm të masave të sigurisë në Gjermani.
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV Fakti që obeziteti në thelb është i trajtueshëm nuk e përjashton automatikisht një pension...
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”