Kosova

“EULEX-i dështoi, Kosovën e presin ditë të vështira”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se EULEX-i ka dështuar në misionin e tij për të luftuar korrupsionin në Kosovë.

Sipas tij, EULEX-i në mandatin e tij të deritashëm ka dëshmuar se më shumë ka pas qëllim ruajtjen e një status-quoje politike dhe jo ndjekjen e atyre që shkelin ligjin, shkruan Koha.net, përcjell albinfo.ch.

“Nëse kthehemi 10 vite pas, ne qytetarët i kemi dhënë besimin këtij institucioni për të gjykuar veprat më të rënda penale. Por ka humbur besimin dhe nuk ka arritur ta ushtrojë mandatin në bazë të pritjeve që kemi pasur. Duket se nuk ka qenë epiqendër ndjekja e njerëzve që ishin në kundërshtim me ligj, por ishte ruajta e status-quos politike”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV. “Nuk e di si mund të arsyetohet një mision ndërkombëtar me miliona euro, që s’e ka pasur frikën asnjëherë problem, as sigurinë, e as lidhjet familjare e biznesore me vendorët, por që s’ka arritur ta kryejë mandatin me të cilin është thirrur në Kosovë. Dhjetë vjet pas themelimit dhe Kosova ka për të plotësuar edhe një kriter për liberalizim, korrupsionin, që ishte kompetencë ekzekutive i EULEX-it. Kjo tregon se ka qenë subjekt i politizimit nga Kosova apo shtete të caktuara, që për qëllim kanë pasur që Kosova të ketë raporte të mira me Serbinë, të themelojë gjykatën Speciale, por asnjëherë s’ka qenë lufta e krimit për çka ne raportojmë në baza ditore”.

Sa i përket mandatit të ri të EULEX-it, që do të bartë kompetencat ekzekutive te institucionet vendore, Miftaraj ka thënë se megjithatë EULEX-i do të ruajë disa kompetenca. Tash EULEX-i do të merret me monitorimin dhe vlerësimin e punës së institucioneve të drejtësisë në vend, dhe se do të merret me mbrojtjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale. Ai po ashtu ka thënë se EULEX-i “nuk u ka besuar vendorëve në këtë pikë dhe do të ketë kompetencë kryesore për ruajtjen e informacionit që të mos lejojë të papritura në fazën e parë të fillimit të punëve nga Specialja”.

Sipas Miftarajt, me kalimin e kompetencave ekzekutive te institucionet vendore, Kosovën do ta presin ditë të vështira, shkruan Koha.net, përcjell albinfo.ch.

“Kur të votohet marrëveshja e re, institucionet vendore do të kenë kompetenca ekzekutive. Qytetarët e kanë përfundimisht adresën në këto institucione, që janë të politizuara, të ndikuara, e kanë mungesa të mëdha. Besimi është shumë i ulët, dhe Kosovën po e presin ditë shumë të vështira. Shpresojmë që me presion nga ndërkombëtarët dhe publiku, do të kemi atë që kemi kërkuar, procesin e vetingut, që do të pastronte skemën në sistemin e drejtësisë që po e dëmton sistemin dhe vetë Kosovën”, ka shtuar ai.

Gjatë transferimit të kompetencave nga EULEX-i te vendorët, Miftaraj ka thënë se është mirë që të bëhen regjistra të rasteve që do të transferohen me qëlim që publiku të jetë në dijeni se çfarë raste nuk janë trajtuar si duhet. Ai ka thënë se kjo vlen sidomos për rastet për krime lufte, ku më shumë “ka të akuzuar shqiptarë se serbë që bën të duket se në Kosovë krime lufte kanë kryer shqiptarët dhe jo serbë”.