Lajme

EULEX-i bastisi katër kompani për korrupsion

Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur të martën katër kompani nëpër vende të ndryshme në Kosovë, në Prishtinë, rajon të Pejës dhe në Prizren, në lidhje me një hetim për një tender të dyshimtë ku është e përfshirë Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT).

Në njoftimin e EULEX-it bëhet e ditur se bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Në një hetim tjetër për tenderë të dyshimtë në komunën e Gjilanit, Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka kryer bastisje në dy kompani në Gjilan.

Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Dy hetimet e lartcekura për korrupsion janë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (SPRK).