Integrimi
“Ethet e të shtunës mbrëma”, në versionin shqiptar
Nëse ka diçka që mund ta quajmë “jetë të natës” të të rinjve shqiptarë në Zvicër, atëherë ajo zhvillohet kryesisht te Rinora
Për diskotekën „Rinora 4“, për rolin e saj, dhe për atë çfarë ajo prezanton qarkullojnë mendime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Por në një pikë pajtohen edhe kundërshtarët më të mëdhenj të Rinorës: se ajo është bërë pa dyshim sinonimi kryesor për argëtimin e të rinjve shqiptarë në Zvicër. Shkurt: Nëse ka diçka që mund ta quajmë “jetë të natës” të të rinjve shqiptarë në Zvicër, atëherë ajo zhvillohet kryesisht te Rinora.
Këtë “kult status” ajo e dëshmon me jetëgjatësinë e saj – këto ditë i ka mbushur 15 vjet. Dhe, vetë mbijetesa e Rinorës dëshmon për një aftësi në vete: për të mbetur në trend, dhe madje edhe për të krijuar trend.
Ethet e të shtunës mbrëma ose për të qenë më të saktë, ethet e të premtes, ndjehen që nga areali para hyrjes së ndërtesës ku me shkronja të mëdha me ndriçim neoni mund të lexohet “Rinora 4”, në Rümlang të Cyrihut. Të rinj e të reja, të veshur bukur, ia kanë mësyrë diskotekës së tyre të preferuar.
© albinfo.ch
Është mbrëmja e 15 vjetorit të Rinorës 4, rreth orës 24 dhe ambientet e saj janë përplot me publikun e zakonshëm. Shumica dërmuese të rinj, nën 30 vjeç. Por ka edhe nga moshat pak më të vjetra, të tillë që shprehinë e “daljes” për argëtim e kanë krijuar në Rinora dhe nuk munden ta heqin as sot, si 40 e më shumë vjeçarë.
© albinfo.ch: Shaban Konxheli
Por, përse pikërisht emri “Rinora” dhe përse “4”?
Shaban Konxheli, njëri nga themeluesit dhe pronarët, ka shpjegim të thjeshtë për emërtimin e klubit: “para më shumë se 15 vitesh ishim duke organizuar mbrëmje rinore, disko, dhe na duhej një emër që të identifikoheshim. Ne ishim 4 veta dhe kështu, numri 4 doli vetvetiu nga “kuarteti” themelues. Ndërsa emri “Rinora” vjen nga emri i vajzës që sapo i kishte lindur njërit nga bashkëthemeluesit. Vajza me emrin Rinora sot ka rreth 15 vjet, ashtu si dhe diskoteka jonë, ndërsa babai i saj, bashkëthemelues, nuk pati vazhduar me ne.
Kështu, ne prej kohësh, jemi në fakt tre veta: Habib Leci, Flamur Bunjaku dhe unë, por emrin “Rinora 4” megjithatë kemi vazhduar ta mbajmë”, sqaron Konxheli. Ai, duke qenë vetëm njëri ndër “tre të barabartët”, flet për albinfon edhe në emrin e të dy të tjerëve sepse ata pas 15 vitesh bashkë, frymojnë pothuaj njësoj. Dhe, siç e pranojnë edhe dy kolegët e tij, ai është “më i gojës”.
Sa i përket marrëdhënies estradë – Rinora4, Konxheli thotë se estrada, këngëtarët, kanë qenë dhe mbeten meritorë për suksesin e Rinorës. Mirëpo “…ne prej rreth 5 vitesh e kemi ndryshuar konceptin e punës. Tash funksionojmë më shumë në stilin “club” që fokusohet në muzikë nga dj-të, dhe më pak në këngëtarë. Ne kështu jemi në trend me atë çfarë ofrojnë diskotekat e ngjashme në Zvicër. Madje, kemi edhe rreth 30 për qind jo shqiptarë në mesin e publikut”, thotë ai, duke pretenduar se rinora tash sa kohë “është në konkurrencë me diskotekat zvicerane dhe për shumëçka e ka kaluar mesataren e tyre”.
– “Adelina Ismaili na ka sjellë rekordin e vizitorëve, rreth 3500 sish”
Mirëpo, shton Shabani, fakti që kemi ndryshuar konceptin, nuk do të thotë se nuk i çmojmë këngëtarët. Ata ne i kemi të rezervuar më tepër për mbrëmje speciale, festa etj. Ndërsa mbrëmjet e të shtunave, fjala vjen, i kemi pothuaj vetëm me muzikë dj.”, thotë ai.
“Mosha më e përfaqësuar në Rinora4 është nga 17 deri në 25 vjeçare. Por, kemi edhe mbrëmje familjare, ku për raste të veçanta me këngëtarë të njohur, vjen publik i moshave të ndryshme”.
Duke folur për përshtypjen e jashtme sipas të cilës “Rinora” “pret pare”, Konxheli pranon se fitimi është shumë i mirë. “Por, ne po ashtu kemi investuar shumë në avancimin teknik të pajisjeve dhe të lokalit, pastaj nuk duhet harruar se kemi rreth 40 punëtorë të rregullt që duhet paguar. Pa përmendur këtu pagesën e këngëtarëve dhe të dj-ve shqiptarë dhe të huaj. Po ashtu kemi dhënë shpesh ndihma për raste të ndryshme sociale në Kosovë, pastaj kemi mbështetur projekte të komunës ku jemi të vendosur etj.”
Shabani, njëri nga ish “4 musketarët” themelues, që sot kanë mbetur tre, pranon megjithatë të tregojë “top listën”e këngëtarëve, të radhitur sipas interesimit që kanë ngjallur gjatë 15 viteve sa ekziston diskoteka.
“E para është Adelina Ismaili. Sidomos mbrëmja kur ajo është rikthyer në skenë, para rreth tri viteve, mund të themi se ka qenë rekorde sa i përket numrit të publikut: kanë qenë rreth 3500 veta. Aty diku, në maje të listës qëndron Adelina edhe sa i përket honorarit që i është paguar”, pranon Konxheli, por nuk dëshiron të japë shifra.
Një mesatare e numrit të publikut, sipas tij, sillet rreth 4000 veta në muaj.
Menjëherë pas Adelinës (dhe Dj Bekës, si i “shtëpisë”) ndër më të pranishmit në Ronora4 vijnë Elita 5, Labinot Tahiri, Etno engjëjt, Genta, Dafina Zeqiri, Zanfina Ismaili etj. Por vazhdojnë të jenë aktualë edhe Sabri Fejzulahu, Dani, Sinan Vllasaliu e të tjerë nga gjeneratat e vjetra, të cilët vijnë kryesisht për festa.
“Dikush na ka quajtur edhe fabrikë martesash, gjë që, të them të drejtën, nuk na e prish aspak qejfin. Kemi mjaft të rinj që janë njohur dhe martuar këtu ndërsa tash vazhdojnë të vijnë edhe pas kaq vitesh, si çifte”, përfundon Shaban Konxheli.
© albinfo.ch: DJ Beka
– DJ Beka: “Kemi dhënë njëfarë kontributi për ruajtjen e identitetit të muzikës shqiptare”
Ndërsa DJ Bekën, “veteranin” e skenës rap të Kosovës, shefat e rinorës e prezantojnë si punëtorin ndoshta më i vjetër të saj. Edhe pse Beka vazhdon të jetojë në Prishtinë, ai kalon 2-3 ditë të javës në Zvicër, ku punon si dj për “Rinora4”.
“Rinora, kur është themeluar, ka sjellë një frymë të re të afrimit të të rinjve shqiptarë në Zvicër. Nga dita e parë e deri më sot vazhdoj bashkëpunimin e frytshëm me pronarët e saj. Ne punojmë bashkë, propozimet, vërejtjet e mia përfillen dhe, në marrëveshje me pronarët, e zhvillojmë konceptin tonë”, thotë Beka.
“Synimi ynë ka qenë të sjellim një frymë pak më të kultivuar të muzikës, që ajo që u ofrohet të rinjve tanë këtu të mos jetë muzikë kafenesh. Ne, sigurisht, i përshtatemi shijes së re që evoluon. Mund të them madje se mjaft të rinj që vijnë këtu e kanë një nivel të lartë të njohjes së trendeve moderne muzikore, aq sa edhe ne mësojmë prej tyre dhe e përshtatim ofertën tonë me ato trende.
Ne jemi munduar që të filtrojmë disa stile muzikore që mjerisht kanë pasur përhapje në mesin e shqiptarëve sidomos në diasporë. Por edhe nëse nuk kemi mundur tua heqim ato shprehi muzikore (si tallava etj.), së paku u kemi mundësuar të shohin se çka është më e mirë. Nisur nga kjo, konsideroj se kemi njëfarë kontributi për ruajtjen e identitetit të muzikës sonë në Zvicër”, përfundon Dj. Beka.
Konxheli: “Rita Ora në muajin maj në “Rinora4”
“Synimi i afërt yni është të sjellim yllin e madh botëror, shqiptaren nga Londra, Rita Ora. “Ajo do të jetë këtu dhe do të performojë, diku në muajin maj”, zbulon Shaban Konxheli një plan të ri të Rinorës. Ai vlerëson lartë jo vetëm muzikën që interpreton Rita Ora por edhe faktin se ajo nuk ka komplekse sa i përket përkatësisë së saj shqiptare.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër? Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme në Zvicër. Ekspertët besojnë se rregulloret aktuale janë të...
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes