Lajme

ETH, universiteti më i mirë në botë jashtë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe

Në ranglistën më të re të bërë nga Magazina “Times Higher Education” (THE), ky institucion i lartë i dijes është radhitur në vendin e 13-të në botë

Universiteti Teknik i Cyrihut, i njohur me shkurtesën ETH (Shkolla e Lartë Federale Teknike) prej shumë vitesh radhitet  në vazhdimësi në mesin e universiteteve më cilësore në botë.

Në ranglistën më të re të bërë nga Magazina “Times Higher Education” (THE), ky institucion i lartë i dijes është radhitur në vendin e 13-të në botë, shktuan sda.ch.

Mirëpo, ajo që duhet të theksohet me këtë rast është fakti se ETH sipas kësa rangliste del universiteti më i mirë në botë jashtë zonës së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, transmeton albinfo.ch. Është e ditur ndërkaq se universitetet nga zona e përmendur dalin gjithmonë shumë më superiore me ato të rajoneve të tjera të botës, në çdo rangim që bëhet.

Megjithëkëtë, kjo radhitje është për dy vende më e dobët se ajo e arritur në ranglistën e bërë vitin e kaluar nga po kjo magazinë. Atëbotë ETH ishte në vendin e 11-të. Shkak për këtë “rrëshqitje” të vogël të këtij universiteti ka qenë përmirësimi i cilësisë i konstatuar ndërkohë në disa universitete të SHBA-së.

Vendin 13-të ETH e ndan me universitetin e njohur amerikan Berkley.

Në mesin e 100 universiteteve më të mira të botës janë edhe tri universitete zvicerane. Si zakonisht më së miri radhitet universiteti tjetër teknik zviceran, ai i Lozanës (EPFL), i cili kësaj here ka zënë vendin e 38, përcjell albinfo.ch. Ndërsa në Top 100 janë edhe Universiteti i Cyrihiut, në vendin e 90-të dhe ai i Bazelit, në vendin e 94-t.

Ashtu sikurse edhe në tri vitet e kaluara, lista kryesohet nga Universiteti Oxford në Mbretërinë e Bashkuar. Në vendin e dytë vjen California Institute of Technology në SHBA ndërsa në të tretin, Universiteti i Kembrixhit, po ashtu i Mbretërisë së Bashkuar.