Kosova

Eshtrat e gjuhëtarit Gjergj Pekmezi do të prehen në atdhe

84 vjet pas vdekjes, eshtrat e Gjergj Pekmezit do të prehen në atdhe. Pas një bashkëpunimi relativisht të gjatë midis Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, Bashkisë së Vjenës, Akademisë së Shkencave e Bashkisë Pogradec, më në fund eshtrat e gjuhëtarit, etnologut, profesorit, bibliografit, diplomatit dhe përkthyesit Gjergj Pekmezi do të prehen në vendlindjen e tij, në Pogradec, përcjell albinfo.ch.

Një ceremoni nderimi për përcjelljen e fundme do të mbahet në mjediset e Akademisë së Shkencave, më 19 nëntor 2022. Personaliteti i Gjergj Pekmezit është i shumanshëm për kontributet e tij. Emrin e tij (“Prof. dr. Gjergj Pekmezi”) e mban Katedra e Albanologjisë në Vjenë, ku ai mbajti ligjëratat e shqipes.

I formuar në Beograd e më pas në Universitetin Oriental të Vjenës, Gjergj Pekmezi kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve dhe punoi si përkthyes pranë tij. Më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.

Me pushtimin austro-hungarez, Pekmezi u emërua kryetar i Komisisë Letrare të Shkodrës, ku bashkëpunoi me albanologët Maximilian Lambertz e Theodor Ippen. Dha dorëheqjen nga Komisia sepse dokumenti themelor i saj “Parimet e rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme” u miratua në mungesë të tij. Në vitet 1920-1924 e 1926-1928 kreu detyrën e konsullit të përgjithshëm të Shqipërisë në Austri. Prej vitit 1928 deri sa u nda nga jeta (1938) ishte profesor në Universitetin e Vjenës.

Disa nga veprat kryesore të Gjergj Pekmezit janë:

“Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan” (“Raport provizor për studimin e të folmes së Elbasanit”), 1901;

“Grammatik der albanesischen Sprache” (“Gramatikë e gjuhës shqipe”), hartuar në bashkëpunim me albanologun Raiko Nachtigal, 1908;

“Bibliographija shqype” (“Albanesische Bibliographie”), 1909;

“Sprachführer zur schnellen Erlernung der albanischen Sprache” (“Manual për të nxënë shpejt gjuhën shqipe”), 1913;

“Lehr und Lesebuch des Albanischen” (“Doracak dhe këndonjës i shqipes”), në bashkëpunim me albanologun Maximilian Lambertz, 1913;

Gjergj Pekmezi është i pari dijetar që transliteroi me alfabet latin “Bletën shqiptare” të Th. Mitkos (1924).

Ka lënë dorëshkrim punimin “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes” dhe një arkiv dorëshkrimesh prej mbi 8 mijë fletë të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të Jashtme të ish-perandorisë austro-hungareze.