Kosova
Është privilegj i madh për mua ta përfaqësoj Zvicrën në Kosovë
Në intervistën ekskluzive për albinfo.ch, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly flet për marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, diasporën shqiptare në Zvicër, investimet, situatën politike në Kosovë etj.
Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, albinfo.ch për lexuesit e saj ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly.
Zvicra është një mike e madhe e shtetformimit të Kosovës si nga ana politike, ashtu edhe nga investimet e këtij shteti në Kosovë, veçanërisht remitencat e diasporës shqiptare nga ky shtet.
Ne biseduam me z. Kolly për disa tema, lidhur me marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, diasporën shqiptare në Zvicër, investimet, situatën politike dhe punën në përgjithësi të vitit 2021.
Albinfo.ch: Zotëri Kolly, cila ishte përshtypja juaj e parë për Kosovën, kur u emëruat si Ambasador i Zvicrës në Kosovë?
Është privilegj i madh për mua ta përfaqësoj Zvicrën në Kosovë. Zvicra gëzon një reputacion të shkëlqyer këtu. Kosovarët janë shumë dashamirës dhe na janë mirënjohës. Kur arrita në Prishtinë, më bëri përshtypje se sa shumë kosovarë kishin lidhje të ngushta me vendin tonë, ose ngaqë kishin jetuar vetë atje, ose ngaqë kishin shumë familjarë që jetojnë në Zvicër. Vështirë për t’u besuar, por e vërtetë: Shpesh më flasin “schwizerdütsch” (dialekti zviceran i gjermanishtes) në rrugë.
Jeta dinamike në Prishtinë me një sërë aktivitetesh kulturore në dispozicion më ka bërë mjaft përshtypje gjithashtu. Përveç kësaj, më kanë bërë përshtypje të rinjtë e talentuar kosovarë me aftësi të ndryshme. Prandaj, jam tejet i lumtur që Zvicra është përfshirë në mënyrë aktive në krijimin e vendeve të punës këtu. Përveç kësaj ne po shqyrtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë së tanishme në zhvillimin e një sistemi të trajnimit të dyfishtë profesional. Në përgjithësi për mua është tejet e rëndësishme që t’u ofrohet perspektivë më e mirë brezave të rinj dhe të pakësohet ikja e trurit (“brain-drain”).
Albinfo.ch: Po bëhen gati 14 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Zvicrës dhe Kosovës, si e vlerësoni raportin mes këtyre dy shteteve, përgjatë viteve?
Zvicra mbështet Kosovën me ndihmë humanitare qysh nga viti 1998. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2008, marrëdhëniet tona janë bërë edhe më të ngushta. Dy vendet tona kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh dypalëshe, duke filluar nga çështjet sociale, mbrojtja dhe nxitja e investimeve e deri te bashkëpunimi policor e gjyqësor. Zvicra dhe Kosova takohen një herë në vit për shkëmbim mbi çështjet dypalëshe dhe politikës së jashtme, si dhe çështjet e migracionit, me të cilat përballemi krahas lidhjeve të fuqishme njerëzore midis dy vendeve tona. Edhe vizitat zyrtare zhvillohen rregullisht. Në vitin 2020 unë personalisht pata nderin ta mirëprisja në Kosovë kryetaren e atëhershme të Parlamentit Zviceran, Isabelle Moret. Në vitin 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi dy herë Zvicrën, ku u takua edhe me presidentin Guy Parmelin dhe këshilltarin federal Ignazio Cassis, përgjegjës për punët e jashtme. Mbështetja zvicerane në procesin e integrimit evropian në Kosovë dhe promovimi i stabilitetit dhe sigurisë në rajon mbetet gjithashtu prioritet i politikës sonë të jashtme. Kështu, ne vazhdimisht presim në Kosovë përfaqësues të Zvicrës, të cilët angazhohen për politikën tonë paqësore, bashkëpunim ndërkombëtar ose në Swisscoy, ku përfshihen 195 ushtarë, në mesin e tyre edhe të atillë me nënshtetësi të dyfishtë.
Albinfo.ch: Diaspora shqiptare në Zvicër, luan rol të rëndësishëm në shtetin zviceran me punën e tyre, por dhe më shumë në ekonominë kosovare, veçmas në remitencat e dërguara në vendlindje. Si e komenton kontributin e kosovarëve në Zvicër dhe në Kosovë?
Diaspora kosovare kontribuon mesatarisht rreth 20% në BPV-në e Kosovës. Në njërën anë përmes dërgimit të parave dhe në anën tjetër përmes shpenzimeve gjatë pushimeve në Kosovë. Kështu, diaspora kontribuon në mënyrë aktive në rritjen ekonomike dhe në përmirësimin e kushteve jetësore të shumë familjeve në Kosovë. Në vitin 2020, 22% e transfereve të parave (“remitancat”), të cilat e arritën shumën prej pothuajse 1 miliard CHF, erdhën nga Zvicra. Pa këtë mbështetje, ekonomia kosovare e rrjedhimisht edhe vendet e punës do të ishin goditur edhe më fort nga recesioni. Edhe në vitin 2021, shpenzimet e diasporës gjatë muajve të verës me gjasë do t’i japin një shtysë të fortë rritjes ekonomike (këtë vit rritja ekonomike mund të arrijë në 8%). Fundja është edhe diaspora ajo që në masë të madhe qëndron prapa investimeve direkte në Kosovë. Pjesa kryesore e ndërmarrjeve zvicerane në Kosovë, kryesisht NVM, që janë aktive në fusha të ndryshme, janë investime edhe nga diaspora.
Albinfo.ch: Zvicra është shteti i dytë si investitori më i madh në Kosovë, por shumë firma të huaja, hezitojnë të investojnë në vend. Nga këndvështrimi juaj, Kosova është vend i përshtatshëm për t’u investuar? Çfarë duhet të bëjë më shumë për t’i joshur investuesit e jashtëm?
Në vitin 2020 Zvicra u bë investitori i dytë më i madh i huaj në Kosovë (pas Gjermanisë dhe para Turqisë). Edhe pse shuma e përgjithshme e investimeve me 600 milionë CHF është relativisht modeste, ajo përbën 18.3% të të gjitha investimeve të huaja në Kosovë. Si shumica e vendeve në zhvillim edhe Kosova ofron mundësi interesante, por edhe rreziqe potenciale për investitorët e huaj. Zvicra është partneri i tretë më i madh zhvillimor bilateral i Kosovës dhe ndër të tjera përkrahë përpjekjet e qeverisë për ta përmirësuar klimën e investimeve. Falë mbështetjes zvicerane u miratua një normë ligjore më miqësore ndaj investimeve, si dhe u hapën më shumë One-Stop-Shop dhe shërbime online. Është më se e natyrshme që institucionet kosovare mbajnë përgjegjësinë kryesore për përmirësimin e sigurisë juridike dhe stabilitetit politik, të cilat janë vendimtare për çdo investitor. Rivendosja e negociatave për një marrëveshje të tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s është gjithashtu një shenjë inkurajuese për zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike dypalëshe.
Albinfo.ch: Zvicra është një nga shtetet kryesore që ndihmon Kosovën në luftën kundër korrupsionit. Në kuptim të përgjithshëm, mendoni se korrupsioni është ende i lartë apo evident në Kosovë?
Promovimi i qeverisjes së mirë në Kosovë është një ndër prioritetet kryesore të Zvicrës që nga viti 2007. Përmes programit të bashkëpunimit, Zvicra kontribuon në luftën kundër korrupsionit duke mbështetur institucionet përgjegjëse dhe mediat hulumtuese. Paralelisht me këtë Instituti i Bazelit për Qeverisje mbështetë Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në identifikimin dhe rikthimin e aseteve të përvetësuara. Korrupsioni në Kosovë ende është një realitet dhe prej kohësh ka frenuar zhvillimin ekonomik, megjithatë është më pak strukturor se në vendet tjera të rajonit. Synimi i qeverisë aktuale për ta luftuar në mënyrë aktive korrupsionin në nivelin më të lartë, do të duhej të përmirësonte situatën.
Albinfo.ch: Vitin e kaluar, eksportet kosovare në Zvicër u rritën me 35 %, trendi i tillë ka vazhduar. Sipas jush, është kjo një nismë e mbarë mes dy shteteve, ku edhe Kosova po rritë eksportet drejt Zvicrës dhe anasjelltas?
Në vitin 2020 Zvicra u ngjit në vendin e katërt të eksporteve kosovare (sidomos me mobile, materiale plastike dhe metale), që arritën shumën prej më shumë se 40 milionë CHF. Akoma më e dukshme është rritja e ndjeshme e eksporteve në industrinë e shërbimeve, veçanërisht në sektorin e TIK-ut, të cilat me plotë kuptimin e fjalës u dyfishuan në vitin 2020. Falë popullatës së saj të re dhe të kualifikuar dhe përparësisë së afërsisë gjeografike (gjë që është marrë në konsideratë dhe ka fituar rëndësi gjatë pandemisë), Kosova është bërë një destinacion i ri «Near Offshore» brenda pak viteve. Fakti që Kosova është vendi me numrin më të madh të gjermanishtfolësve në Evropën Juglindore paraqet një përparësi të qartë krahasuar me vendet fqinje. Këto mundësi shumë premtuese dhe perspektiva e një zgjerimi të tregtisë kanë rezultuar në themelimin e një Shoqate Ekonomike Zvicerano-Kosovare (OEZK) nga investitorë zviceranë dhe kosovarë në majin e këtij viti.
Albinfo.ch: Zotëri Kolly, një veçanti tjetër për të cilën dua të ju pyes, është edhe punësimi i grave amvise në Kosovë, kategori kjo, thuajse e harruar nga politikat e Kosovës. Mbështetja e juaj e vazhdueshme dhe mundësia e inkuadrimit në një marrëdhënie pune, ka ndikuar pozitivisht tek to. Na tregoni rreth kësaj iniciative, si erdhi?
Në tregun kosovar të punës gratë ende kanë një shkallë shumë të ulët të përfaqësimit. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme për Zvicrën që grave t’ua lehtësojë qasjen në tregun e punës dhe t’i promovojë ato vazhdimisht. Rreth 60% e grave të punësuara, janë aktive në tregtinë me pakicë. Për këtë arsye Zvicra e mbështetë këtë sektor në përpunimin e ofertave për trajnime të mëtutjeshme për menaxhmentin e mesëm, në mënyrë që të përmirësohen shanset e grave për pozita më të larta.
Ne gjithashtu po e mbështesim trajnimin e 700 grave në sektorin e ëmbëlsirave dhe bukës, në mënyrë që ato të mund të hapin ose zgjerojnë një biznes. Gratë po mbështeten edhe në sektorin bujqësor, siç është prodhimi i bimëve shëruese dhe aromatike. Si rezultat i mbështetjes zvicerane 1,436 gra kanë gjetur një punë të re në katër vjetët e fundit. Për t’i luftuar paragjykimet dhe stereotipat mbizotërues në shoqëri, Zvicra ka zhvilluar edhe një fushatë vetëdijësuese për ta promovuar arsimimin e vajzave.
Albinfo.ch: Jemi në prag të festave të fundvitit, një mesazh për kosovarët dhe për mërgatën shqiptare që jetojnë në Zvicër dhe më gjerë?
Viti 2021 ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Si rezultati ashtu edhe rrjedha e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale dëshmojnë për pluralizmin dhe emancipimin politik të Kosovës. Qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe diasporën në Zvicër, morën pjesë masivisht në zgjedhje. Me votën e tyre ata ishin shtytës të rëndësishëm për epokën e re të ndryshimeve në Kosovë. Jam i bindur se diaspora kosovare me njohuritë, aftësitë dhe vullnetin e saj mund dhe do të luajë rol kyç në konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë në Kosovë.
Intervistën e ka realizuar Drin Reçica
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve