Lajme
Esat Bytyqi, autor projektesh me vlera të larta arkitektonike në Austri
“BEX-Architecture ZT” është kompani e arkitekturës, në Vjenë, e cila u krijua në vitin 2015 nga Esat Bytyqi. Nga shtëpitë e banimit, ndërtesat banesore, e deri tek hotelet dhe muzetë, janë objektet për të cilat kompania ka tashmë vite eksperiencë në tregun austriak
Esat Bytyqi kishte ardhur si student në Vjenë, Austri, për të studiuar në Fakultetin e Arkitekturës në “Technische Universität”.
Në vitin 2008 ka përfunduar Fakultetin e Arkitekturës, duke mbrojtur temën e diplomës te profesor William Alsop (arkitekt i njohur në botë). Pas përfundimit të universitetit ka punuar për studio të ndryshme të arkitekturës, ku vlen të përmendet studio “Henke Schreieck-Achitekten” që është një studio me renome në Austri. Si punëtor i kësaj kompanie, Esati ka punuar projektin “Erste Campus”, që ishte një ndër projektet më me vlera arkitektonike në Austri, respektivisht në Vjenë.
Në vitin 2015 ai nisi të punonte si arkitekt i pavarur, për t’u bërë më pas edhe anëtar i Shoqatës së Arkitektëve në Austri (2018).
Po ashtu ishte viti 2015 kur Esati themeloi studion e tij të arkitekturës, e cila tashmë funksionon edhe me pesë arkitektë të tjerë.
“Mund të them se studioja jonë është relativisht e re dhe se funksionon që nga viti 2015, koha kur unë pata filluar të punoja si arkitekt i pavarur. Më 2020 kompanisë iu dha emri ´BEX-Architecture´ dhe tani jemi 5 arkitektë dhe unë si udhëheqës i studios”, ka sqaruar ai.
Konsistenca në punë ka bërë që Esat Bytyqi sot të jetë një arkitekt i konsoliduar në Austri. Ai për albinfo.at ka thënë se sukseset e bëjnë të mendojë gjithnjë se profesioni i tij është i duhuri.
“Kur e shoh që studioja ndryshon për çdo vit pozitivisht, vijnë edhe më shumë kërkesa për projekte, ne profesionalizohemi më shumë, është kënaqësi dhe vazhdoj të besoj se kjo ishte përzgjedhja e duhur për mua”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se deri më tani kanë pasur laramani të projekteve, duke nisur nga shtëpitë, banesat, hotelet e muzetë.
Pse të bashkëpunoni me “BEX-Architecture”?
Kompania bashkëpunon me klientë privat dhe klientë të cilët merren me patundshmëri.
“Efiçenca, ruajtja e ambientit-ekologjia, materialet natyrore, janë disa nga kërkesat globale, të cilat po i praktikojmë ne në projektet tona”, ka thënë Esati.
Ai ka treguar se si arkitekt duhet që po ashtu ta këshillojë klientin, në mënyrë që objekti që projektohet të jetë sa më ekonomik dhe ekologjik.
Vitet e eksperiencës në tregun austriak, ndërtime në pjesë kyçe të Austrisë, Esati thotë se janë pikërisht këto pika ku një klient mund të bazohet për të bashkëpunuar me kompaninë e tij.
“Pas një përvoje të gjatë në profesion, duke llogaritur edukimin e pastaj edhe përvojën si arkitekt i pavarur, e më pas me kompani, referencat e deritanishme nga projektet që kam punuar, janë arsyet pse duhet një klient të zgjedhë studion tonë”, ka thënë ai.
Bashkëpunimi me kompanitë shqiptare
“BEX-Architecture” ka marrëdhënie bashkëpunimi mjaft të mira me shumë kompani shqiptare që funksionojnë në Austri, kryesisht me firma të patundshmërisë që ndërtojnë fillimisht banesa dhe pastaj i shesin apo i japin me qira në Austri.
“Kërkesat e klientëve shqiptarë nuk dallojnë nga ato të austriakëve. Në fakt, deri sa punohet për qytetarët e Austrisë, shoh se kërkesat janë të njëjta, pavarësisht cilit komunitet i takojnë. Më këtë mund të them se bashkëpunimi me firmat shqiptare është i pashmangshëm, marrë parasysh që sot kemi shumë firma shqiptare të cilat janë konkurrente në tregun evropian”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se ndjehet krenar që ekzistojnë firma shqiptare të nivelit të lartë si konkurrente në Evropë.
Projekti i Esatit “Memoriali i Ibrahim Rugovës”, në Istog, me rëndësi të veçantë
Një nga projektet më të veçanta për Esatin do të mbetet memoriali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Istog. Arkitekti ka thënë se ky memorial lidhet direkt me jetën dhe veprën e Rugovës dhe ndërtimi i tij është bërë për të nderuar punën e “arkitektit të shtetit të Kosovës”.
“Jam shumë i lumtur që më është besuar ky projekt, pas një takimi gjithëpërfshirës me qytetarët e Istogut dhe atëherë kryetarin e saj, Haki Rugovën. Memoriali “Ibrahim Rugova” është ndërtuar për të kujtuar të kaluarën dhe për të nderuar e respektuar “arkitektin” e shtetit të Kosovës. Për herë të parë Istogu do të ketë një muze dhe një shesh qendror, ku do të prezantohet e kaluara dhe trashëgimia jonë kulturore”, ka thënë Esati.
Esati ka sqaruar se në memorial është paraqitur jo vetëm vepra e Rugovës si udhëheqës i Kosovës, por edhe jeta e tij si shkrimtar e studiues. Ndërsa, ka shtuar se memoriali ndahet në dy pjesë funksionale: në pjesën e lartë të hapur (Parku-Sheshi) dhe pjesa e poshtme e mbyllur (muzeu).
Arkitekti Bytyqi e ka quajtur memorialin si vepër inovative, që ka një filozofi të qartë arkitektonike, me funksione që lidhen me jetën dhe veprën e Rugovës në përgjithësi.
“Në anën tjetër është në harmoni me planin urbanistik të qytetit dhe është atraktiv jo vetëm për qytetarët, por edhe për turistët. Memoriali është zgjedhje e mirë për të pasur qasje në pjesën kulturore, që ndikon në ngritjen e vetëdijes qytetare”, ka shtuar ai.
Arkitekti ka thënë se ka qenë dëshira e Presidentit Rugova që t´i njoftojë kulturat botërore me kulturën shqiptare, andaj, ka thënë ai, ky memorial është i një rëndësie të veçantë.
Dëshira e Esatit për me projektuar dhe ndërtuar në Kosovë ka qenë gjithmonë e pranishme. Kosova është një vend në zhvillim e sipër dhe ka nevojë për objekte të ndryshme sidomos kulturore me një arkitekturë bashkëkohore.
“Për momentin jemi në përfundim të “Hotel new Trofta” në kompleksin “Trofta” në Istog”, i cili është ndërtuar sipas planit tim dhe që hapja pritet të bëhet në shtator të këtij viti”, ka thënë ai.
Box 1
Planet për të ardhmen
Synimet e Esatit janë të qarta. Ai do që studioja e tij të jetë konkurrent serioz jo vetëm në tregun austriak, por edhe në atë evropian.
“Planet janë që të zhvillohemi edhe më shumë si studio, tashmë kemi filluar të marrim pjesë në konkurse ndërkombëtare të arkitekturës dhe duam që të jemi sa më prezent si studio në projekte nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës”, ka përfunduar ai.
B O X 2
“Një roman, këngë apo film të keq mund të vendosësh të mos e lexosh, ta shikosh a ta dëgjosh, por një objekti të shëmtuar nuk mund t`i ikësh”.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane