Muzikë

Ermonela Jaho, pjesë e nominimeve të evenimentit gjerman “Opus Classic 2021”

Disa nominime me goxha rëndësi, Jaho i ka pranuar edhe tani!

Sopranoja Ermonela Jaho shquhet për vokalin e saj të fuqishëm e të rrallë, elemente këto falë të cilave ka arritur që jo rrallë herë të fitojë edhe çmime në festivale të ndryshme në Shqipëri e Itali.

Por, disa nominime me goxha rëndësi, Jaho i ka pranuar edhe tani!

Nominuar nga evenimenti i famshëm gjerman ”Opus Classic 2021”, Ermonela ka shumë mundësi që të përzgjidhet si “Artistja e vitit në Gjermani”.

Jaho ka ndarë me publikun në rrjete sociale disa postime, ku ka falënderuar organizatorët për vlerësimin.

“Faleminderit Opus Classic 2021 që i dhatë albumit ‘Anima Rara CD’ dy nominime”, ka shkruar ajo, transmeton AP, përcjell Albinfo.ch.

Më tej, Jaho ka zbuluar se ajo është e nominuar në dy kategori të kësaj ngjarjeje artistike.

Artistja është nominuar për të fituar çmimin e “Këngëtares së vitit”, por edhe për “Albumin më të mirë solo”.

Ndryshe, javë më parë lajme të mira për Ermonelën u përcollën edhe nga Shqipëria, ku ajo u përzgjodh si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“E prekur pa masë dhe e përulur për nderin e madh të pranimit si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ju faleminderit!”, kishte shkruar sopranoja shqiptare.