Integrimi
Erdhën, panë, premtuan dhe shkuan
Ose: cili ishte qëllimi i vizitave të tre ministrave kosovarë në Zvicër dhe cili ishte efekti i vërtetë i tyre për komunitetin tonë?
Tri javët që shkuan mund të quhen, javët “më ministrore” që ka përjetuar mërgata jonë në Zvicër, prej se ekziston. Brenda harkut kohor prej më pak se 20 ditësh, këtë mërgatë e vizituan, në vizita të ndara, tre ministra të Qeverisë së Kosovës.
Së pari ishte ministri i ri i arsimit, Ramë Buja, i cili qëndroi këndej i pari nga 7 deri 10 qershor. Pas tij, rreth 12 qershorit na vizitoi ministri i shëndetësisë, Ferid Agani dhe së fundi, nga 21 deri më 26 qershor diaspora jonë u eksplorua nga ministri i saj (i diasporës pra) Ibrahim Makolli.
Komuniteti ynë, si zakonisht, është i etshëm për vizita profilesh të larta nga Kosova. Kësaj here madje, duke pasur edhe një shpresë të vakët se më në fund po merrej seriozisht nga “Prishtina zyrtare”, i priti dhe i përcolli ministrat ashtu siç diti më së miri. Deri këtu, gjithçka në rregull. Por, cili ishte në fakt qëllimi i vizitave dhe cili ishte efekti i vërtetë i tyre për këtë komunitet?
Pa dashur të paragjykojmë, për më tepër, duke mbajtur parasysh faktin se tre ministrat e përmendur nuk bëjnë pjesë në mesin e politikanëve të përfolur, duhet thënë se edhe këto vizita lanë shijen e hidhur mbrapa…
©albinfo.ch: Ministri i arsimit, Ramë Buja
Fjala vjen, ministri Ramë Buja, vjen e thotë se “kjo vizitë, si e para që është, po bëhet në funksion të identifikimit të problemeve të mësimit shqip në diasporë”. E vërtetë, për t`u zgjidhur problemet, ato fillimisht duhet të identifikohen. Por, a mos është ndoshta pak për një ministër – qoftë edhe i ardhur rishtas në këtë post – të mjaftohet vetëm me “identifikimin” e problemeve? Është fjala për një ministër, partia e të cilit e mban resorin e arsimit prej më shumë se tri vitesh. Dhe, problemet duhej të ishin identifikuar kaherë, shumë para ardhjes së z. Buja në krye të ministrisë.
Problemet e mësimit shqip në diasporë nuk është se nuk njihen. “Identifikimi” i tyre është bërë disa herë, nga ministria para Bujës dhe ato më të hershmet. Dhe, tash po del se, me gjasë, pararendësit (në nivel sekretarësh e këshilltarësh) nuk i paskan lënë në dosjet e tyre ministrit aktual asgjë nga “identifikimet” që kanë bërë sa herë kanë vizituar Zvicrën! Sikur ta kishin bërë këtë, me siguri ministri Buja këtë vizitë do ta përdorte për diçka më shumë se sa “identifikimi” i problemeve. Dhe, do të thellohej më tepër në problematikën e këtij komuniteti (jo vetëm në sferë të arsimit).
©albinfo.ch: Ministri i shëndetësisë Ferid Agani
I dyti me radhë, për nga koha e vizitës, ministri i shëndetësisë, një mjek dhe profesor po ashtu i nderuar, ministri i shëndetësisë, vjen në Zvicër me ftesën dhe organizimin e degës së partisë së tij (PD). “Sebepi” i ardhjes, festimi i përvjetorit të çlirimit të Kosovës, është gjithsesi fisnik. Mirëpo, nga një ministër i shëndetësisë, mbase më shumë do të pritej që t`i bënte një vizitë ministrisë përkatëse të vendit që viziton. Ndërsa edhe për takimin me bashkatdhetarët mund të gjendej një kohë e ndërmjetme. Por, në rastin e ministrit Agani, pjesëmarrja në tubimin festiv ishte pak a shumë e gjithë “agjenda” e vizitës…
© albinfo.ch: Ministri iparë i diasporës, Ibrahim Makolli
E treta në kohë, por më e rëndësishmja për bashkatdhetarët, për shkak të specifikës së resorit që mbulon, ishte vizita e ministrit të parë të diasporës, Ibrahim Makollit. Ai, në kuadër të turneut të tij të gjatë në vendet me mërgatë të madhe kosovare, ka qëndruar rreth 4-5 ditë edhe në Zvicër. Të pritej nga ai që të sillte me vete ndonjë zgjidhje për problemet e shumta të mërgimtarëve, do të ishte vërtetë e tepërt. Makolli nuk ka mbushur ende as muajin në postin e ministrit, ndërkohë që edhe vetë ministria e tij është po kaq e re dhe ende shumë larg nga kompletimi i saj.
Por, athua për këtë arsye – për mungesë stafi – ministri Makolli kishte marrë me vete një zëvendësministër nga një ministri tjetër (Banush Pacolli, nga Ministria e Infrastrukturës)? Së paku në takimet ku ai mori pjesë, nuk u dhanë sqarime nëse ai kishte ndonjë agjendë sa i takon ministrisë ku punon.
Sido që të jetë, nga ministri i ri dëgjuam mjaft zotime për angazhim në zgjidhjen e shumë çështjeve që mundojnë mërgatën tonë. Disa nga të cilat, sigurisht, nuk varen vetëm nga ai.
Prandaj, mërgatës i mbetet “ta mbajë për fjale” Makollin. Ashtu si dhe ministrat tjerë që e vizituan.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor