Të tjera

Era “pushton” botën

Videoklipi i këngës "Bonbon" po ashtu thuajse çdo ditë transmetohet në kanalet muzikore “VIVA”, ndërsa në “Youtube” video e këngës “Bonbon” ka arritur në 45 milionë klikime

Zëri i Erës ngjan shumë në atë të Rihanes. Muzika e saj është e përzier me atë ballkanike dhe gjatë kësaj kohe po dëgjohet shumë në Amerikë dhe në gjithë botën. Por kush është Era Istrefi, në të vërtetë?, pyet në portretin e saj kushtuar këngëtares nga Kosova revista multietnike “Biber”, e cila botohet në Austri.

Kjo është edhe pyetja, të cilën ndoshta shumë prej njerëzve gjermanfolës e bëjnë. Ajo para pak kohësh performoi në emisionin “Schlag den Star”. Hiti i saj “Bonbon” dëgjohet në emisione të shumta të radiove. Videoklipi i kësaj kënge po ashtu thuajse çdo ditë transmetohet në kanalet muzikore “VIVA”, ndërsa në “Youtube” video e këngës “Bonbon” ka arritur në 45 milionë klikime, transmeton albinfo.ch.

Shqiptarja me stil të veçantë, e cila rrjedh nga një familje e famshme

Në vendet si Shqipëria, Maqedonia dhe vendlindja e saj, Kosova, ajo prej kohësh njihet si ylli më i madh i muzikës. Era është e lindur në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, ku edhe jeton. Këngëtarja kosovare është po ashtu e njohur për stilin e saj të veçantë. Ajo vesh shpesh ngjyrat rozë dhe violet, pallto nga leshi me ngjyra të ndritshme, ndërsa grimi i saj është me xixa.
Talenti i saj muzikor rrjedh që nga djepi. Nëna e saj ishte këngëtare e njohur shqiptare gjatë viteve të 80-ta, transmeton albinfo.ch. Motra e madhe e Erës, Nora Istrefi, është po ashtu njëra prej këngëtarëve më të famshme në komunitetin shqiptar. Që nga viti 2005 Nora është e suksesshme në shoubizin muzikor. Por, motra e saj e vogël, tashmë Era, ka bërë emër edhe në tregun ndërkombëtar.

Një përzierje mes zërave të Bob Marley, Rihanna dhe Major Lazar

Në vitin 2013 fillon karriera e Erës me këngën “Mani per Maney”. Me këtë këngë ajo hyri shumë mirë në industrinë muzikore shqiptare. Kënga e saj ka përzierje të zhanreve regga dhe dubstep. Ndikimi i zhanrit rega u zhvillua për vite të tëra nga këngëtari i madh, Bob Marley. Emri i saj përmendet në citate të ndryshme si tekst shkruese e shumë këngëve. Në Instagram dhe Twitter, Era quhet si një “Rihanna shqiptare”, përcjell 
albinfo.ch.

E kritikuar nga mediet serbe për klipin e xhiruar në kishën ortodokse

Era Istrefi ishte kritikuar ashpër nga mediat serbe. Klipi i këngës së saj “E dehun” ,të cilën e kishte xhiruar në një kishë ortodokse në Kosovë, kishte ngjallur reagimin e shumë medieve serbe. Këngëtarja vallëzonte në atë klip me një bluzë gjysmë të zhveshur, e cila nga mediat serbe është quajtur si një skandal. Në një intervistë për “V Magazinë”, këngëtarja ka reaguar dhe mendonte se kurrë nuk ka qenë qëllimi i saj të ofendojë një religjion tjetër. Ajo në atë klip dëshironte të shfaqte një anë tjetër të personalitetit të saj.

Nga Kosova e vogël, në suksesin botëror

Që nga fundi i vitit 2015 këngëtarja është bërë e njohur edhe jashtë trojeve shqiptare. Kënga dhe videoklipi i fundit i saj “Bonbon” ka arritur një sukses tepër të madh, duke marrë mbi 45 milionë klikime.  Në Spotify ajo në muajin shkurt u rendit në top këngët më të mira. Mu për këtë talentin e këngëtares e vërejtën edhe kompanitë e njohura muzikore, si “Sony Music Entertainment” dhe “Ultra Music”. Në shkurt të vitit 2016 artistja kosovare nënshkroi kontratë me këto kompani në vlerë prej 1.5 milionë dollarësh.