Kultura

Eno Peçi, balerini shqiptar që shkëlqeu në “Opernball” të Vjenës

Balerini shqiptar Eno Peçi ka shkëlqyer të enjten në mbrëmjen gala "Opernball" të Vjenës, duke bërë hapjen e saj

Evenimenti artistik i 59-të me radhë  “Opernball” në Vjenë të Austrisë nuk ka qenë asnjëherë më i madh se sa këtë vit. Opera shtetërore e Vjenës u shndërrua në sallën më të bukur të vallëzimit në botë.

5150 mysafirë VIP-a nga të gjitha fushat jetësore të Austrisë dhe afro 2 milion shikues përmes televizionit  kanë përcjellë ngjarjen më të madhe të vitit në këtë vend.

Edhe më glamuroze eka bërë këtë mbrëmje prania e mysafires speciale, modeles dhe aktores italiane, Elizabeta Canalis e njohur si ish e dashura e Georg Cloon-it si dhe prezenca e pa paralajmëruar dhe e befasishme e supermodeles, Naomi Campbel.

Në mesin e gjithë këtyre VIP-ave nuk mungoi as prania e balerinit tonë nga Tirana, Eno Peçit. Djaloshi shqiptar, jo vetëm se ishte pjesëmarrës, por ai bashkë më trupën e baletit bëri hapjen e këtij spektakli gjigant.

Fama dhe sukseset e mëdha të balerinit tonë në Austri, nuk kaluan pa u vërejtur  nga mediet austriake. Ato, para se të fillonte “Opernball” kishin marr mendimin e tij rreth organizimit dhe shfaqjes së tyre.

Eno Peçi është balerin shqiptar që jeton në Austri. I lindur në Tiranë, është shkolluar në Akademinë e Baletit në këtë qytet dhe pastaj ka vazhduar shkollimin për balet në Operën Shtetërore të Vjenës. Në vitin 2000 i është bashkuar këtij institucioni dhe më 2003 është bërë solist. Ai është i pari valltar shqiptar që ka performuar “live” në një koncert në Vjenë.

A.Gj.