E-Diaspora
Emocione dhe shumë shpresë për Admirin dhe kombëtaren e Zvicrës
Lokalet e qytetit ishin në atmosferën e botërorit për ndeshjen e luajtur mbrëmë midis Zvicrës dhe Francës, por gjithnjë në qendër të bisedave dhe brohoritjeve ishte gostivarasi, Admir Mehmedi
Gostivari mbrëmë ishte përfshirë nga emocionet e tifozerisë në përkrahje të kombëtares së Zvicrës.
Lokalet e qytetit ishin në atmosferën e botërorit për ndeshjen e luajtur mbrëmë midis Zvicrës dhe Francës, por gjithnjë në qendër të bisedave dhe brohoritjeve ishte Admir Mehmedi, djaloshi gostivaras që është shëndërruar në një idhull.
Tifozët më të flakët kishin veshur fanellën e tij, por edhe të mbërthyer pas ekraneve televizive, duke ndjekur në çdo cep lëvizjet e Admirit.
Atmosfera më madhështore ishte në lagjen ku Admiri kalon pushimet në vendlindjen e tij.
Mbi 200 tifozë ishin grumbulluar në lokalin e mirënjohur “California”, ku, nën emocione dhe ethet e ndeshjes po bënin tifo për Zvicrën.
Edhe përkundër humbjes nga francezët, tifozët e flaktë të Admirit janë plotë shpresë dhe elan se Zvicra e ‘shqiptarëve’ do të mposhtë Hondurasin dhe do të sigurojë kualifikim.
“Pavarësisht humbjes, jemi krenar për tanët që shkëlqyen në këtë botërore dhe tundën rrjetën e francezëve. Sidomos bashkëvendasi dhe familjari ynë Admiri”, shprehë emocionet e tij Shpresim Tairi për “Albinfo”, një shok i Admirit.
Ata shpresojnë shumë në ndeshjen e radhës me Hondurasin, ku presin edhe vulosjen e kualifikimit.
“Po të tregoj të drejten presim një fitore bindëse kundër Hondurasit dhe shpresojmë që Admiri të na gëzojë me gol…si dhe t`i gëzojë të gjithë shqiptarët kudo që janë. O Zot ku të bëhet me u kualifiku më lartë. Presim shumë, por edhe lusim që të ecë mirë dhe të tregohen gjithë 5 shqiptarët e kombëtares”, rrëfen Shpresimi, një tifoz që mban fanellën e Admirit, i cili duket i dëshpëruar nga humbja.
Tek lokali më i frekuentuar nga gostivarasit “Picasso” dhjetëra tifozë ishin grumbulluar, por ishte një mllef dhe shqetësim deri para se të shënohen golat nga Xhemaili dhe Xhaka, që megjithatë rikthyen festën dhe shpresën.
“Mirëpo edhe pse ishte pak si diferencë e madhe golash, patëm shpresa për të paktën ndonjë gol nga ana e fudbollistëve shqiptar që luanin për reprezentacionin e Zvicrës. Padyshim se pritëm edhe ndonjë gol nga bashkëvendësi Admir Mehmedi. Por sidoqoftë erdhën dy golat, që na mbajnë me shumë shpresë se Zvicra do të shkojë përpara dhe drejt kualifikimeve të radhës. Pa marrë parasysh rezultatin përfundimtar mbetemi me shpresë që në ndeshjet e radhës të kualifikohet Zvicra dhe djelmoshat tanë t’i tregojnë botës edhe më tepër vlera”, thotë Burhan Ahmeti, pronar i lokalit dhe një nga piktorët e njohur gostivaras.
Ardit Stafa, këngëtari i njohur nga Gostivari thotë se me shumë emocion ka ndjekur ndeshjen, por duke bërë tifo për lojtarët shqiptarë.
“Unë jam një tifoz i Zvicrës, për tanët që luajnë aty dhe sidomos për bashkëvendasin tim Admir Mehmedin. Ky fakt më gëzon shumë se Admiri tregoi potencialin e tij, edhe pse nuk ishte fati për të fituar ndeshjen. Edhe Xhaka e Behrami ishin në vendin e duhur dhe na kthyen shpresat. Shpresojmë në suksesin e lojtarëve tanë me Zvicrën, që të na përfaqësojnë sa më me dinjitet dhe krenari. Por edhe ne duhet të mburremi me ta”, theksoi për “Albinfo.ch”, Ardit Stafa.
Komuna e Gostivarit premton se do të ketë festë në sheshin e Gostivarin në ndeshjen e radhës me Hondurasin.
“Kaloi si kaloi përballja me Francën, por na gëzuan dy golat e Xhemailit dhe Xhakës. Jemi krenar për ta dhe për Admirin tonë, i cili po shkëlqen dhe është një lojtar bindshëm që po shfaqet në fushë. Shpresuam se do të jap gol, por shpresojmë më Hondurasin. Rinia e Gostivarit me mbështetjen e komunës do të bëjmë një organizim në qendër të qytetit për të përkrahur kombëtaren e Zvicrës si dhe bashkëvendasin tonë Admir Mehmedi”, theksoi për “Albinfo.ch”, zëdhënësi i komunës së Gostivarit, Kasam Selimi.
Por kjo ndeshje ka mbërthyer edhe opinionin sportiv në Maqedoni, duke pasur komente të ndryshme rreth lojës së shqiptarëve tek Zvicra dhe emocioneve që po sjellë kampionati botëror “Brazil 2014”.
Denis Shabani, gazetari sportive dhe komentatori i ndeshjeve të botërorit në televizionin publik TVM2 në disa raste të transmetimit të drejtpërdrejt të lojës nuk ka lënë pa përmendur tifozerinë e flaktë të Gostivarit dhe Tetovës, në përkrahje të fuqishme të Zvicrës.
“Unë përshëndes këtë tifozeri që po i jep mbështetje kombëtares së Zvicrës, por edhe ne si komentator në raste të tilla vërtetë jemi tifozë të paparë në mbështetje të lojtarëve tanë. Shpresojmë në fitoren me Hondurasin”, thotë Denis Shabani.
Ai komenton edhe ndeshjen dhe sfidën e humbur me Francën. “Mendoj se kishte gabim tek mbrojtja zvicerane. Futbollistët shqiptarë ishin bartësit e lojës dhe këtë e konfirmuan. Lojtarët e Zvicrës ranë nën presion psiqik pas pranimit të dy golave dhe që krijoi konfuzion në mbrojtje dhe mesfushë. Ishte ndeshje që sa më shpejt duhet harruar. Shpresoj se Zvicra ja del me fitore me Hondurasin. Ka mesfushë dhe sulm më të mirë. Nëse do të jetë loja e tanëve sikur me Kolumbinë, atëherë do të ja dalim me fitore”, vlerëson Denis Shabani.
Naser Pajaziti
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika