E-Diaspora

Emisioni për pensionistët kosovarë që përloti mijëra zviceranë

Në një emision dedikuar pensionistëve kosovarë, Televizioni shtetëror frankofon SRF ka realizuar një udhëtim në Kosovë, për ta përcjellë më nga afër situatën e pensionistëve të cilët tash e disa vite nuk marrin të ardhurat e tyre të fituara me djersë në Zvicër.

Bëhet fjalë për gjeneratën e parë të shtetasve kosovarë të cilët në Zvicër kishin ardhur në fillim të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, informon Albinfo.ch.

Pas përfundimit të pajisjes me lejeqëndrim të rregullt në vitin 1996, të këtyre punëtorëve stinorë, të cilët morën pjesë në ndërtimin e pendës “Grande Dixencee” apo të tunelit të Gothardit, duke flijuar edhe shëndetin e tyre, këta pensionistë u bënë objket i një padrejtësie të vërtetë juridike.

Me 75 euro në muaj dhe me shpresë se së shpejti do të zgjidhet çështja e tyre, në emision është paraqitur rasti i Ramush Azemit nga qyteza e Vitisë, babai i heroit Njazi Azemi që u vra nga forcat serbe në vitin 2001. Zotëri Ramushi në Zvicër kishte punuar si stinor më tepër se njëzet vite.

Ai i përkujton me mallëngjim vitet e kaluara në Zvicër, në mes të kantoneve Tiçino dhe Graubunden, duke shpalosur një video incizim të para më shumë se 30 viteve, ku ai me shokët e tij shihet duke punuar natë e ditë në ndërtimin e tunelit të Gothardit, transmeton Albinfo.ch.

Deri më sot, zotëri Ramushi ende jeton me 75 euro në muaj, edhe pse gjithë shëndetin e tij e shkriu për një Zvicër më të bukur.

Rasti tjetër ka qenë ai i Hajriz Shasivarit, i cili gjithashtu mbijeton me rreth 75 euro në muaj, por të cilat nuk i mjaftojnë për medikamnetet e nevojshme në moshën e tij.

Edhe zotëri Hajrizi në Zvicër kishte punuar si stinor për 27 vite me radhë. I pensionuar që nga viti 2012, edhe ai është i privuar nga e drejta për të marrë pensionin, njofton më tej Albinfo.ch.

Sidomos emocional ka qenë rasti i zotëri Adem Ismajlit, i cili në Zvicër kishte punuar 26-27 vite dhe e kishte shoqëruar i njëjti fat si stinorët e tjerë.

Si kujtim nga puna e rëndë që kishte ushtruar në pendë, ai me vete kishte marrë një copë guri nga “Grande Dixencee” dhe të cilin e ruante si sytë e ballit.

Pas pohimeve të vëzhguesve zvicerane se në Kosovë janë të kërcënuar ta kryejnë punën e tyre, më 01 prill të vitit 2010 Zvicra vendosi t`i ndërprejë të gjitha transferet e benificioneve të ndryshme për punëtorët e Kosovës.

Mijëra persona u prekën nga ky vendim, informon Albinfo.ch. Autoritetet zvicerane arsyetohen me bashkëpunimin e pamjaftueshëm të autoriteteve kosovare.

Në qershor të këtij viti u nënshkrua një konventë e re e bashkëpunimit reciprok të të dyja vendeve.

Por, përderisa të hyn në fuqi, duhet të ratifikohet nga të dy parlamentet dhe kjo mund të zgjasë një, deri në dy vite. Vallë, a do ta gëzojnë pensionistët kosovarë këtë beneficion qe e merituan me djerësn e ballit?!

Për më tepër, ndiqeni emisionin në vegzën në vijim: rts.ch