Zhvillim

Emigracioni, ministri i Brendshëm i Gjermanisë shkon në Tiranë

Në Shqipëri pritet të mbërrijë të premten për një vizitë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière.
Vizita e tij pritet të përqendrohet në çështjen e nxehtë të emigracionit. Gjermania po përballet me një dyndje të madhe azilkërkuesish.

Përveç atyre që kanë mbërritur nga vendet në konflikt, si Siria, një numër i madh kërkesash ka pasur edhe nga Ballkani, e veçanërisht nga Shqipëria.

Janë disa dhjetëra-mijëra shqiptarë të cilët kanë kërkuar azil. Autoritetet në Tiranë disa herë kanë këmbëngulur se një pjesë e azilkërkuesve janë, sipas tyre, shqiptarë emigrantë që deri tani kanë jetuar në Greqi.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, do të takohet me homologun e tij shqiptar, Saimir Tahiri dhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në përfundim të vizitës do të ndalet dhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku do të bisedojë edhe me përfaqësues të policisë shqiptare të kufirit lidhur me procedurat që ndiqen ndaj azilkërkuesve të riatdhesuar.

Muajt e fundit autoritetet gjermane kanë kthyer pas qindra shqiptarë, duke iu ofruar atyre që kthehen vullnetarisht mosndëshkim me ndalim të hyrjes në vendet Schengen për 5 vjet.

Gjermania ka përshpejtuar procedurat e trajtimit të kërkesave për azil, ndërsa e ka përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë në listën e vendeve të sigurta.