Opinione

Elektorati i “përgjumur”, Parlamenti i kantonit Vaud mbetet pa deputetë shqiptarë

Të dielën e kaluar janë mbajtur zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit Vaud, mirëpo edhe kësaj here asnjë kandidat shqiptar nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme që të bëhet pjesë e legjislativit. Platforma mediale Albinfo.ch ka ndjekur nga afër këto zgjedhje, ku garuan 6 kandidatë shqiptarë në regjione të ndryshme të kantonit Vaud: Musa Kamenica për regjionin Lozanë Qendër, Jeton Hoxha për regjionin e Lozanës perëndimore, Lorena Sheu dhe Mërgim Dibrani për pjesën veriore të kantonit Vaud dhe Ermira Rexhaj e Tefik Rexhaj për pjesën perëndimore.

Duke u nisur nga fakti që në këtë kanton jeton një numër shumë i madh i komunitetit shqiptar dhe që në shumë komuna tashmë ka asamblistë shqiptarë, pritjet ishin të mëdha që në këto zgjedhje kantonale të shkruhet historia e shqiptarëve në atë kanton, gjegjësisht të kishte një ose dy përfaqësues të komunitetit tonë në Parlamentin e kantonit Vaud. Ajo që është më se zhgënjyese është kur shohim se për sa pak vota kandidatët tanë nuk arritën të zgjidhen.

Në qoftë se analizojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve në njësinë zgjedhore Lozanë-Qendër që është njësia votuese më e madhe me afro 87 000 votues, politikanit shqiptar, Musa Kamenica, që mori gjithsej 5324 vota, i mungonin vetëm 201 vota për t’u bërë pjesë e Parlamentit kantonal. Po ashtu edhe në regjionin e Lozanës përëndimore politikanit tjetër, Jeton Hoxha, i mungaun 156 vota për t’u zgjedhur.

Mbase nga këto zgjedhje dalin në shesh mangësitë që kanë të bëjnë me mobilizimin politik më të mirë të komunitetit shqiptar në Zvicër, nëse synojmë që zëri ynë të dëgjohet në institucionet vendimmarrëse.

Kjo mungesë interesimi tregon se një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar në pjesën frankofone në Zvicër, si duket janë të interesuar vetëm të marrin pasaportën zvicerane, por jo edhe për të shfrytëzuar të drejtën për të votuar për të mirën kolektive të komunitetit. Mosinteresimi për pjesëmarrje në jetën politike të Zvicrës nuk është i nivelit të njëjtë edhe në rastin e pjesës gjermane të Zvicrës. Këndej tani më kemi të zgjedhur emra shqiptarë edhe në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, siç ishte rasti me politikanen e re, Qendresa Sadriu, madje kemi shkruar historinë dhe me kryetaren e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, Ylfete Fanaj. Së shpejti do të kemi edhe një kryetar shqiptar të një partie zvicerane në qytetin e Cyrihut. Është fjala për politikanin Përparim Avdili. I njohur tashmë si shqiptari i parë që arriti të fitonte një ulëse në Asamblenë e Cyrihut, qytetit më të madh të Zvicrës, Përparim Avdili ka dëshmuar në mënyrë të shumëfishtë veten në postin e përmendur të FDP-së.

Elektoratit të përgjumur shqiptar i duhet një mobilizim më i madh në nivel organizatash, po edhe seksione të veçanta nëpër parti politike zvicerane. Është e çuditshme të flasim ende për procedura të komplikuara të votimit. Se mund të mobilizohemi edhe në jetën e këtushme politike, tregon angazhimi për kthesat politike të bëra në Kosovë, sipas shumëkujt, ai ndryshim i atribuohet në një masë të madhe pikërisht diasporës. Zgjedhjet e fundit në Vaud tregojnë se mbetet shumë për t’u bërë që të ngrihet më lart vetëdijesimi i shqiptarëve për të votuar në zgjedhjet në nivel kantoni, e pse edhe jo për Parlamentin e Zvicrës. Tani më ka nisur debati!

Sevdail Tahiri, drejtor i platformës albinfo.ch (online & print)