Ekspozita

Ekspozitë e piktorit shqiptar Albi Yzo në Saint-Maurice, Valis

"Duke ndërthurur traditat shqiptare me teknikat bashkëkohore, ofron një vepër të thellë, të mbushur me emocion dhe reflektim mbi bukurinë njerëzore..."

Piktori Albi YZO, me prejardhje nga Shqipëria, do të hapë një ekspozitë të pikturave më 2 nënor në Espace ContreContre, Saint-Maurice. Ekspozita qëndron e hapur deri më 10 nëntor, bën të ditur Mentor Çitaku, në cilësinë e organizatorit të ekspozitës, shkruan albinfo.ch.

Kjo ekspozitë paraqet një takim unik artistik dhe kulturor. Albi YZO, duke ndërthurur traditat shqiptare me teknikat bashkëkohore, arrin të ofrojë një vepër të thellë, të mbushur me emocion dhe reflektim mbi bukurinë njerëzore dhe kujtesën kolektive. Është një moment i ndarjes dhe dialogut mes kulturave, aq më i çmuar pasi nxjerr në pah lidhjet e forta mes komunitetit shqiptar në Zvicër dhe popullatës vendase.

Ceremonia zyrtare e hapjes do të bëhet të shtunën, më 2 nëntor, në ora 18, në prani të përfaqësuesve të autoriteteve komunale dhe kantonale, si dhe personalitete nga bota kulturore dhe komuniteti shqiptar në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Kjo ngjarje do të shënojë një moment të vërtetë shkëmbimi mes kulturave tona, një mundësi për të forcuar lidhjet e miqësisë mes vendeve tona përmes artit dhe krijimtarisë.

Ndërsa vetë artisti, Albi Yzo, në një postim të tij në rrjetet sociale, veç tjerash shkruan: “Kam kënaqësinë t’ju ftoj në ekspozitën time personale “Hipo-Crisis” që do të mbahet në dt. 2-10 nëntor 2024, në Galerinë «Espace ContreContre», në Saint-Maurice, Zvicër. (Espace ContreContre Les Glariers 14 1890 St-Maurice (www.contrecontre.com), përcjell albinfo.ch.
Hapja e ekspozitës do të bëhet më 2 nëntor, ora 18 :00.
Në këtë ekspozitë kam prezantuar një cikël punimesh të përzgjedhura, ku trajtoj nëpërmjet artit pamor tematika nga jeta e përditshme, ngjarje politiko-sociale e kulturore të kohës sonë, e mbi të gjitha marrëdhënien e artistit të ri me kohën, hapësirën dhe të bukurën”.