Gjuha

Ekspozitë e nxënësve të Shkollës Shqipe nga Lozana

Prej datës 27 deri më 30 maj 2014 në galerinë e arteve në Pully u mbajt një ekspozitë me punime të nxënësve të Shkollës Shqipe që vijojnë Mësimin Plotësues në “Coteau-Fleuri” të Lozanës.

Duke u nisur nga qëllimi fisnik për të nxitur talentin e nxënësve tanë në fushën e artit figurativ, nën përkujdesjen e piktorit tonë z. Samedin Asllani, Shkolla Shqipe nga Lozana organizoi një ekspozitë me punime të bëra gjatë orëve të mësimit të lëndës së artit figurativ.
Pos nxënësve që tani vijojnë mësimin e rregullt në ekspozitë morën pjesë edhe disa nga ish nxënësit e saj të cilët po ashtu punimet e tyre i krijuan së bashku gjatë orëve të parapara për këtë aktivitet shkollor.

Për të respektuar punën e tyre si dhe për kënaqësinë e nxënësve dhe prindërve të tyre po i shënojmë më poshtë emrat e nxënësve pjesëmarrës në ekspozitë: Albiona, Arbënorja, Arta, Eda, Elza, Ensari, Ermira, Erza, Gëzimi, Rina, Toskani, Hana, Lora, Emma, Leona, Sibel, Jetmira si dhe ish nxënësit: Gonxhja, Edita, Marigona, Drenusha, dhe Sara.

Në ekspozitë u paraqitën 22 punime prej të cilave 16 ishin punime në pëlhurë. Për nga tematika pikturat ishin nga më të ndryshmet si pamje nga natyra jonë e bukur, lule e kafshë të ndryshme, motive nga vendlindja ose personazheve të ndryshme të veshura me veshje kombëtare. Me një fjalë, në sy bie menjëherë tematika fëmijërore e ekspozitës.

Ishte kënaqësi të shikosh punimet e larmishme të nxënësve me ngjyra shpeshherë të ndezura dhe tërheqëse. Edhe pse shumica prej tyre për herë të parë kanë pasur rastin të pikturojnë në pëlhurë prapëseprapë frymëzimi dhe ndjenjat e shprehura në pikturë përmes ngjyrave të bukura dhe shijeve të holla na bëjnë për vete.

   

Një kënd i veçantë në ekspozitë e pati edhe fotografi i shkollës tonë zoti Luli Imeri i cili u paraqitë me disa fotografi të përzgjedhura nga aktivitetet e ndryshme të shkollës shqipe.

Kjo ekspozitë mendoj se e arriti qëllimin e saj parësor: të mundëson dhe të nxitë talentin krijues të nxënësve tanë në lëmin e artit figurativ.

Por, në anën tjetër kjo ekspozitë e nxënësve kishte për qëllim që të tërheq kureshtjen e bashkëmoshatarëve të tyre si dhe të bashkëkombësve tanë. Në ekspozitë, pos nxënësve dhe prindërve të nxënësve tanë që ekspozuan, numri i mysafirëve tjerë ishte shumë i vogël.

Mjetet tona të informimit dhe shoqatat e ndryshme që veprojnë në Lozanë e gjetiu në kanton e injoruan tërësisht këtë ngjarje. E njëjta gjë vlen edhe për përfaqësuesit tanë diplomatik këtu në Zvicër.

Por në anën tjetër nuk munguan mysafirët zviceran. Me këtë rast do të përmendja pjesëmarrjen e zotit Marc Vuilleumier (qeveritar komunal i Lozanës – përgjegjës për sport, integrim dhe mbrojtje të popullatës) si dhe zotin Stefan Sarkany nga Gjeneva (kryetar i dhomës Zvicër – Kosovë për tregti, industri e shërbime) që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në hapjen solemne të ekspozitës.

Për fund të them se një veprimtari e tillë e bukur, e qëlluar dhe me interes të veçantë për fëmijët tanë edhe pse nuk u përcoll si e tillë nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë këtu në Lozanë e rrethinën e saj ajo solli një freski të veçantë kulturore, siç u shpreh një mësimdhënëse zvicerane e lëndës së artit figurativ gjatë vizitës së saj që i bëri ekspozitës tonë.

Përgatiti: Isni Idrizi
Foto: Luli Imeri

(lapsh-lozan.com)