Lajme

Ekspozitë e artistëve që jetojnë jashtë vendit

Ndërsa të shtunën, më 4 gusht, në ora 18:00, në Prekaz, mbahet manifestimi qendror i “Ditëve të Diasporës në Kosovë”

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës në Kosovë”, në Prishtinë, në Parkun Arkeologjik, u mbajt ekspozita e artistëve Lala Meredith Vula, Dora Virient Sulimani, Saimir Strati dhe Asllan Krasniqi, të cilët jetojnë e veprojnë në diasporë.

Në ekspozitë u prezantuan piktura, fotografi, imazhe me mozaikë, si dhe ballinat e revistës arbëreshe me veshje të arbëreshëve,  bën të ditur Ministria e Diasporës në një njoftim për medie. Me këtë rast, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, pas fjalës përshëndetëse, i përgëzoi artistët e Diaspores për krijimtarinë e tyre. Me nga një fjalë u paraqitën edhe artistët, të cilët thanë se ndihen shumë të lumtur që veprat e tyre i ekspozojnë në Kosovë.

Më pas, në shenjë respekti për pjesëmarrjen në manifestimin për diasporën(artistë nga diasporë) dhe për punën e tyre, MeD-ja i nderoi artistët me nga një mirënjohje, thuhet në fund të njoftimit.

Ndërkaq,siç njofton ministria, të shtunën, më 4 gusht, në ora 18:00, në Prekaz, mbahet manifestimi qendror i “Ditëve të Diasporës në Kosovë”. Me këtë rast do të ketë homazhe te Varrezat e Jasharajve, do të ketë një koncert të Filarmonisë së Kosovës, si dhe do të ndahen çmimet vjetore për personalitetet më të njohura të diasporës sonë.