Lajme
Eksperti Gzim Hasani: Ja përse Banka Kombëtare e Zvicrës rriti normat e interesit
"Me rritjen e normës, SNB po dërgon një sinjal të rëndësishëm për luftimin e inflacionit. Banka Kombëtare vazhdon të presë rritje të BPK-së prej rreth 2.5% për këtë vit. Papunësia duhet të mbetet e ulët..."
Gzim Hasani është ekspert i financave, sigurimeve dhe patundshmërive. Ai është CEO i kompanisë Swiss Management Zürich AG, SMZH.
Në intervistën e tij për albinfo.ch ai sqaron për lexuesit tanë hapat më të fundit në fushën e finacave në Zvicër, gjegjësisht rritjen e normave të interesit nga Banka Kombëtare e Zvicrës. Cilat janë shkaqet, rrethanat të cilat kanë bërë të nevojshme këtë ngritje dhe cilat janë rrjedhojat që do të prodhojë ajo.
albinfo.ch: Pas një kohe të gjatë, Banka Kombëtare e Zvicrës ka rritur së fundmi normat e interesit (kamatat). Pse mendoni se po ndodh kjo?
Gzim Hasani: Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) rriti normat e interesit me gjysmë pikë përqindjeje në -0.25% për të frenuar presionin e rritur inflacionist. Parashikimi i inflacionit prej 2.8% është shumë mbi objektivin 0 – 2%. Politika më e shtrënguar monetare synon të parandalojë përhapjen më të gjerë të inflacionit në Zvicër në mallra dhe shërbime. Inflacioni është rritur në shumë vende muajt e fundit, me rritjen në SHBA, ku, me 8.6%, është më i larti në 40 vitet e fundit dhe në Eurozonë me 8.1%. Kjo pra ka ndodhur për shkak të faktorëve si: kostot më të larta të energjisë, lufta në Ukrainë dhe çështjet e zinxhirit të furnizimit ndërkombëtar.
albinfo.ch: Si mund të shprehet kjo në ekonominë zvicerane?
Gzim Hasani: Rritja e normave të interesit po shkakton ndryshime në tregun e hipotekave pastaj, normat negative të interesit për depozitat bankare dhe çmimet e aksioneve janë vënë nën presion. Me rritjen e normës së interesit të SNB-së, supozohet se kërkesa për pasuri të paluajtshme nuk do të rritet aq fuqishëm sikur në vitet e fundit. Rritjet e normave të interesit ndihmojnë në frenimin e inflacionit dhe i mundësojnë Bankës Kombëtare të Zvicrës ta përdorë këtë për të ulur përsëri normat e interesit në një moment të mëvonshëm kohor, nëse shihet se po afrohet një recesion.
albinfo.ch: Krahasuar me vendet e tjera të botës, mund të thuhet se inflacioni në Zvicër nuk është aq i lartë. Cilat mund të jenë arsyet për këtë? A mund të presim që tendenca e inflacionit të zgjerohet më tej?
Gzim Hasani: Krahas frangut të fortë zviceran, një nga arsyet është se Zvicra është më pak “intensive për energji” se Evropa apo Amerika, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëndët djegëse fosile, ku siç dihet ka pasur rritje të konsiderueshme të çmimeve që nga fillimi i këtij viti. Gjithashtu, shpenzimet për ushqim dhe energji në raport me të ardhurat në Zvicër përbëjnë një përqindje shumë më të vogël se sa ato në BE apo vende të tjera.
albinfo.ch: Si qëndron puna sa i përket fuqisë së frangut zviceran në lidhje me rritjen e normave të interesit?
Gzim Hasani: Si reagim fillestar ndaj njoftimit të SNB-së, edhe frangu zviceran fitoi forcë. Duke qenë se diferenca e normës së interesit me rajonet tjera monetare nuk do të ngushtohet, nuk pritet ndonjë rritje e qëndrueshme e frangut zviceran.
albinfo.ch: Cilat janë parashikimet për ekonominë zvicerane deri në fund të vitit? Sa pritet të jetë rritja e Bruto Produktit Kombëtar?
Gzim Hasani: Me rritjen e normës, SNB po dërgon një sinjal të rëndësishëm për luftimin e inflacionit. Banka Kombëtare vazhdon të presë rritje të Prodhimit Brutto Vendor (BPV) (deutsch BIP, eng GDP) prej rreth 2.5% për këtë vit. Papunësia duhet të mbetet e ulët. Parashikimi i favorshëm bazohet, ndër të tjera, në supozimin se ekonomia globale do të vazhdojë të rritet dhe se lufta në Ukrainë nuk do të përshkallëzohet më tej. Ashtu sikurse për vendet e tjera, edhe parashikimi për Zvicrën është subjekt i rreziqeve të mëdha. Një dëmtim i furnizimit me energji në Evropë mund të godasë rëndë ekonominë zvicerane. “Grykat e ngushta” të ofertës globale dhe rritjet e mëtejshme të çmimeve për lëndët e para mund të ngadalësojnë gjithashtu rritjen. Me skenarët e duhur, masat e politikës fiskale ose monetare do të duhej të ndiqnin gjendjen në terren.
Agnesa Qorri
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve