Kosova

Eksperti amerikan: Kosova s’mund të krahasohet me Serbinë e Bosnjën, është më demokratike

“Nuk mund të flitet për krahasime, e aq më pak të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”.

Kështu ka deklaruar profesori nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, Edward P. Joseph.

Duke komentuar mosftesën për Kosovën në Samitin e Demokracive, të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk e di saktë arsyen, porse sipas tij, Kosova është larg më demokratike se sa Serbia e Bosnja, që po ashtu nuk kanë marrë ftesa për këtë samit.

“Kosova, në mënyrë ironike, është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe, këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnjë”, ka pohuar ai për REL-in.

Joseph ka thënë se nuk e di nëse arsye për mungesën e ftesës, është vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Në disa raste është përmendur edhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë – Serbi, si një prej shkaktarëve që mund ta kenë nxitur përjashtimin e këtyre dy vendeve nga Samiti, por për Josephin “kjo kërkon më shumë sqarim”.

Sipas tij, Kosova ka përmbushur standardin e kërkuar për demokraci, si dhe ka theksuar faktin që Kosova është vend me orientim të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Dhe kushdo që merr pjesë në këtë Samit, zotimet që vendet pjesëmarrëse duhet të marrin mbi vete priten të jenë ambicioze – përfshirë këtu edhe vendin nikoqir, Shtetet e Bashkuara.