Zhvillim
Ekspertët kosovarë bartin ekspertizën zvicerane në Kosovë
Qëllimi i seminarit „Komunikimi dhe sjellja gjatë përballjes me situata të vështira në punë“ ka qenë që punëtorët e Institucionit të Avokatit të Popullit të njihen me metodat më të avancuara të komunikimit me klientë në situata të vështira
Ditë më parë, dy ekspertë shqiptarë me qëndrim në Zvicër, Hamit Zeqiri, ounëtor i diplomuar social dhe Naser Morina, psikolog, kanë qëndruar në Prishtinë për të realizuar një seminar me punëtorët e institucionit të Avokatit të Popullit. Zeqiri është kryesues i konferencës së enteve për integrim në nivel të Zvicrës ndërsa Morina punon si psikolog në ambulatoriumin për trajtimin e të viktimave të torturave nga luftërat, në Cyrih. Të dy kanë qëndruar atje edhe në cilësinë e anëtarëve të asociacionit të Asociacionit të Profesionistëve Shëndetësorë Shqiptarë, të themeluar pak muaj më parë në Zvicër. Seminari „Komunikimi dhe sjellja gjatë përballjes me situata të vështira në punë“ është realizuar me mbështetjen e projektit Diaspora për Zhvillim (DfD).
Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me dy ekspertët lidhur me aktivitetin e tyre në Kosovë.
“Në punën e përditshme që ka stafi i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë, paraqiten ngarkesa nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato personale me klientë por edhe ato të jashtme në aspektin organizativ dhe legjislativ. Iniciativa në fillim ka qenë nga Avokati i Popullit, i cili duke u nisur nga përvoja e tij në Zvicër, ka dashur që stafit të tij t’i ofrojë shkollim të vazhdueshëm profesional. Andaj në kontaktet që kemi pasur me Avokatin ka lindur ideja që të organizohet një seminar për bashkëpunëtorët, ku si qëllim kryesor do të ishte aftësimi profesional në aspektin personal”, thotë Hamit Zeqiri.
Kjo vjen sidomos duke pasur parasysh që puna e bashkëpunëtorëve të tij lidhet shpeshherë me ngarkesa të natyrave të ndryshme. Klientët të cilët i drejtohen për ndihmë këtij institucioni kanë ngarkesa dhe strese të mëdha. Ata shpeshherë ballafaqohen me vështirësi ekzistenciale. P.sh. kontaktet me ata që duhet të lëshojnë banesën brenda 24 orëve pa pasur mundësi tjetër banimi. Në anën tjetër ka palë që janë shumë sfidues dhe agresivë ose kërkojnë nga IAP që këta të fundit t`ua realizojnë qëllimet e tyre, nganjëherë edhe pa të drejtë ligjore. Ndodh që bashkëpunëtorët edhe të kërcënohen, qoftë nga individë privatë, apo ata zyrtarë. Prandaj, të zhvillosh biseda dhe të komunikosh me njerëz në situata të tilla është sfiduese, shumë stresuese dhe kërkon kompetenca të veçanta, si në aspektin psikologjik, social e gjithashtu edhe në atë të komunikimit”.
Ndërsa lidhur me idenë, ai thotë se “në fillim Avokati i Popullit është drejtuar tek ne të dy dhe pastaj ka ndodhur bashkëpunimi në mes të institucionit të Avokatit të Popullit, subjektit “Diaspora për Zhvillim”, psikologut Naser Morina dhe meje, si anëtarë të Asociacionit të Profesionistëve shëndetësorë në Zvicër.
Qëllimi i seminarit „Komunikimi dhe sjellja gjatë përballjes me situata të vështira në punë“ ka qenë që bashkëpunëtorët e Institucionit të Avokatit të Popullit të njihen me metodat më të avancuara të komunikimit dhe të sjelljes me klientë në situata të vështira, të njihen me metoda efektive të kapërcimit të situatave të vështira dhe relaksimit si dhe me njohuritë më të reja mbi faktorët e suksesit dhe motivacionit. Pra qëllimi ka qenë një fuqizim i dyanshëm, në njërën anë sjellja me palën në situata të vështira, realizimi i intervistave dhe komunikimi, sidomos njohja e sinjaleve të palëve që mund të çojnë deri të një eskalim i situatës. Kurse në anën tjetër qëllimi ka qenë në aspektin personal të bashkëpunëtorëve për të mësuar strategji të kalimit të stresit dhe relaksimit, me synim parandalimin e simptomave psikike, siç janë depresioni, ankthi apo burnouti.
Duke folur për specifikat që ka puna në Kosovë në këtë fushë, bashkëbiseduei ynë thotë se seminarin dhe trajnimin për institucionin e Avokatit të Popullit e kanë përgatitur për nevojat specifike të tyre. “Seminare të ngjashme ne organizojmë edhe në Zvicër për profesionistët vendës këtu. Si gjithkund tjetër edhe në Kosovë kompetenca e komunikimit ju duhet njerëzve nëse dëshirojnë të kenë sukses në punën dhe jetën e tyre. Komunikimi i mirë është sot faktori kryesor në arritjen e suksesit. Më herët vendimtar ka qenë „produkti“ që është ofruar ndërsa sot është komunikimi ai i cili vendos në shumë situata për suksesin apo mossuksesin.
Të krijosh një raport të mirë me klientin si në lëmin e punëve sociale ashtu edhe në atë të biznesit është vendimtare. Qasja është po ashtu diçka e rëndësishme. E kemi qasjen që puna në parim është e mirë, njerëzit janë kooperativë, jeta ofron shumë shanse, etj. apo anasjelltas. Gjëra të tilla luajnë rol të rëndësishëm në atë se si e ndjejmë veten dhe sa energji kemi për t`u ballafaquar me sfidat e përditshme. E kemi në përditshmërinë tonë fokusin kryesisht te vështirësitë apo mundësitë. Çfarë tipi të personalitetit kam dhe ç`do të thotë kjo për komunikimin dhe raportin tim me njerëzit. Këto dhe shumë aspekte të tjera i trajnojmë në këtë seminar.
Ne trajnojmë modele dhe metoda me të cilat mundësohet më lehtë zbatimi i qasjeve pozitive në praktikë dhe mund ta rrisin suksesin në mënyrë të ndjeshme”. Madje, sipas Zeqirit, qasja pozitive mund të ketë ndikim edhe në përmirësimin e jetesës së njerëzve. Këtë ai e ilustron me shembullin e Zvicrës. “Në Zvicër para pak më shumë se 100 viteve ka pasur jo pak njerëz që nuk i kanë pasur as gjërat elementare për të jetuar dhe janë detyruar të migrojnë. Sot Zvicra është një prej vendeve më të pasura në botë. Janë bërë edhe studime për ta zbuluar „recetën“ zvicerane të suksesit. Disa prej këtyre njohurive mund të barten edhe në Kosovë si në kuptimin kolektiv po ashtu edhe në atë individual. Pasuria e një populli është në kokat e atij populli. Kosova i ka të gjitha resurset e mundshme për t`u bërë një vend me një mirëqenie shumë të lartë. Unë besoj në suksesin e Kosovës mirëpo për këtë duhet të kontribuojnë shumica e njerëzve në mënyrën e vetë, ngase alternativë më të mirë nuk kemi”.
Ndërsa lidhur me bashkëpunimin me DfD, në të mirë të fuqizimit të lidhjeve në mes të Kosovës dhe Diasporës, Hamit Zeqiri flet në superlativ.
“Kemi një bashkëpunim profesional dhe kolegial shumë të mirë me DfD. Në DfD ne shohim një potencial të madh në menaxhimin dhe shfrytëzimin e resurseve të Diasporës në të mirë të Kosovës. Bartja e njohurive më të avancuara nga vendet perëndimore në Kosovë do të jetë një prej shtyllave të rëndësishme të zhvillimit të Kosovës. Koha e përkrahjes emergjente financiare të Kosovës për fat të mirë pothuajse ka kaluar. Tani duhet të barten kapitale të tjera si ky i transferit të njohurive. Nëse njeriut i fal peshk për t`u ushqyer ai do të jetë i varur gjithmonë prej teje. Nëse atë e mëson për të zënë peshk, ai do të pavarësohet prej teje”.
Hamit Zeqiri shprehet i kënaqur me përvojën e fituar nga qëndrimi në Kosovë. “Për ne ka qenë kjo një përvojë shumë e veçantë dhe e mirë, ishte hera e parë që realizohej një trajnim i tillë. Vlen të theksohet se aty kanë marrë pjesë 34 bashkëpunëtorë të IAP dhe ishte kënaqësi të shohësh përkushtimin profesional dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve të IAP, sidomos motivimin dhe interesimin për punë por edhe për të mësuar edhe më shumë.
Në mbyllje të këtij seminari dyditor ne e kemi bërë një evaluim të trajnimit me pjesëmarrësit. Vlerësimi dhe sinqeriteti i tyre dhe gjërat që ata i përmendën të cilat i marrin nga seminari për t’i integruar jo vetëm në punë por edhe në jetën e përditshme na kanë impresionuar shumë. Naseri dhe unë kemi lindur në Kosovë por studimet i kemi kryer në Zvicër dhe ne të dytë e kemi një dashuri të madhe për Kosovën edhe natyrisht që na gëzon shumë kur kemi mundësi të japim një kontribut të vogël për vendlindjen. Nga pjesëmarrësit u shpreh dëshira që në vjeshtë të realizohet edhe një seminar në të cilin do të thelloheshin në disa tema tjera, sidomos edhe në aspektin e supervidimit të rasteve. Ne po shpresojmë që do ta realizojmë dhe jemi të motivuar që të shkojmë prapë.
Gjithashtu ia vlen të theksohet se ideja është që në bashkëpunim me DfD ky program dhe ky trajnim të ofrohet edhe për institucione të tjera në Kosovë, aty ku është e nevojshme, përfundon Hamit Zeqiri.
Blerim Shabani
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin U ankua kundër dënimit me 43 muaj burg por iu shqiptua edhe masa e dëbimit për...
-
Avni Gallapeni, një krijues me vizion që lidh artin me industrinë
-
Zamfina Rexhaj vjen me një libër dygjuhësor me poezi
-
Kosova, gati për turneun “Yellow Cup” në Winterthur të Zvicrës
-
Pritjet nëpër pika kufitare, 2 orë për të dalë në Merdarë e Muçibabë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Bëhet apel për kujdes nga faqet jozyrtare për ngjitësin e autostradës 2025 Vinjeta e autostradës ekziston në formë elektronike që nga gushti 2023. Në janar, faqet e internetit...
-
Një jetë pa media sociale: së shpejti një realitet për të rinjtë?
-
Shoqata e Fermerëve është alarmuar, si “janë” fermerët zviceranë?
-
Shiu i rrezikshëm ngrirës drejt Zvicrës
-
2602 franga për 14 metra katrorë, mega-çmimi për mini-apartament në Cyrih