Integrimi
Eksodi i kosovarëve: si e shohin atë shqiptarët nga Zvicra
Flasin: Ylfete Fanaj, deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, Hilmi Gashi, sekretar sindikal në Unia dhe Hamit Zeqiri, kryetar i Bashkësisë së Qendrave për Integrim në nivel të Zvicrës
Javët dhe muajt e fundit Kosova është shndërruar në një arenë të ikjeve. Me dhjetëra mijë qytetarë të saj, pa ndonjë busull e orientim të qartë, kanë marrë rrugën me një synim të vetëm: sa më larg nga Kosova! Zhgënjimi i madh me situatën ekonomike e politike në Kosovë është arsyeja kryesore, por a e shpjegon kjo gjithë këtë “vullnet” për të ikur? Dhe, si e shikojnë këtë fenomen shqiptarët e Zvicrës, të cilët në një fazë më të hershme dhe në rrethana që ndryshojnë shumë nga këto të sotmet, po ashtu “kanë ikur”?
albinfo.ch ka marrë mendimet e tre personaliteteve shqiptare, aktive në jetën sociale dhe politike të Zvicrës: Ylfete Fanaj, deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, Hilmi Gashi, sekretar sindikal dhe Hamit Zeqiri, kryetar i Bashkësisë së Qendrave për Integrim në nivel të Zvicrës (Kofi).
Ylfete Fanaj: Klasa politike ka dështuar, çmimin e paguajnë më të dobëtit
Ylfete Fanaj mendon se humbja e shpresës së qytetarëve se do të bëhet mirë ka qenë vendimtare për këtë eksod. “15 vite nga përfundimi i luftës dhe 7 vite nga pavarësia, qytetarët e Kosovës kanë humbur krejtësisht shpresën. Ata nuk shohin më perspektivë në vendin e tyre. Është e kuptueshme që njerëzit kërkojnë shanset dhe mundësitë për një jetë më të mirë”, thotë Fanaj.
Por, sipas saj këtë gjendje e ka thelluar edhe më shumë bllokada në ndërtimin e institucioneve që ka zgjatur disa muaj. “Bllokada politike pas zgjedhjeve të vitit të kaluar e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Njerëzit e kanë vënë re edhe njëherë se politika nuk bëhet për të mirën e njerëzve në Kosovë por për të mirën e politikanëve të caktuar, partive dhe familjeve të tyre. Klasa politike ka dështuar ndërsa çmimin e këtij dështimi e paguajnë ata që janë më të dobëtit në këtë shoqëri”, përfundon Ylfete Fanaj.
Edhe Hilmi Gashi, sekretar sindikal dhe aktivist i njohur i komunitetit shqiptar, arsyet e eksodit i sheh te humbja e shpresës. Sipas tij madje populli ka treguar së tepërmi durim dhe vetëpërmbajtje ndaj klasës politike.
Hilmi Gashi: Koha e apeleve për durim ka kaluar, duhen veprime konkrete
“Për mua janë skena shumë prekëse. 15 vite pas çlirimit njerëzit prapë lëshojnë Kosovën. Arsyet i shoh te mungesa e shpresës për një të ardhme për ta dhe fëmijët e tyre. Populli ynë ka treguar shumë durim me qeveritë dhe politikanët tanë. Këta nuk kanë arritur të tregohen si liderë, të cilët kanë mundur të bindin popullatën, se ata kanë ide dhe plane për t’u përballur me sfidat e shumta si sigurimi i perspektivës për jetë, duke nisur programe për punësim në bashkëpunim me investues vendor dhe të jashtëm etj.”
Por, a ka edhe një dozë histerie dhe mosnjohjeje të rrethanave në Evropë nga ana e atyre që ikin? “Nuk përjashtohet se ka pasur edhe histeri dhe keqinformim. Dikush është duke e shfrytëzuar këtë gjendje për të përfituar. Por, nëse merremi vetëm me gjendjen faktike, pa e shikuar edhe arsyen e këtij largimi, atëherë mbetemi vetëm në sipërfaqe të problemit.
Nuk besoj se qeveria jonë mund t’i bind njerëzit të mos e lëshojnë vendin vetëm me apele dhe bllokime të kufijve. Njerëzit kërkojnë perspektivë. Koha e apeleve për durim ka kaluar, shton Gashi.
Sipas tij, ka kaluar edhe koha kur qeveritarët tanë të gjitha fajet për mosfunksionimin e shtetit dhe institucioneve ia lënin ndërkombëtarëve apo faktit se nuk jemi shtet. Tash jemi shtet i pavarur. Por, në ndërkohë më duket mua se qeveritarët tanë dhe politikanët e vendit as që janë duke u munduar të arsyetohen për dështimin e politikës së tyre. Dhe në këtë atmosferë të krijuar, njerëzve siç duket nuk u ka mbetur shtegdalje tjetër vetëm se të kërkojnë fatin e tyre nëpër rrugët e Evropës.”
Megjithatë, sipas Gashit ende ka shpresa. Ai pret që më në fund qeveria të bëjë lëvizjet e nevojshme për kthimin e shpresës. “Tash qeveria e Kosovës duhet të tregojë se është e zonja dhe ka vullnet për t’u marrë seriozisht me hallet e qytetarëve. Ajo duhet të nisë një dialog social me shoqërinë civile. Të krijojë një task forcë, e cila do të përbëhet nga ekspertë, politikanë dhe ndërmarrës, të cilët do të analizojnë gjendjen dhe të japin ide dhe sugjerime për të dalë prej krizës.
Vetëm kur qytetarët shohin se është duke u bë diçka konkrete, atëherë besoj se do të kthehet besimi në institucionet e shtetit. Qytetarët tanë e duan Kosovën. Largimi nuk është i lehtë për askënd”, përfundon Hilmi Gashi.
Hamit Zeqiri: Politikanët tanë kanë devalvuar edhe idenë e shtetit juridik
Edhe për Hamit Zeqirin, kryetar i Bashkësisë së Qendrave për Integrim në nivel të Zvicrës (Kofi) shkaqet e eksodit më të ri janë mjaft komplekse. Por treguesi i përbashkët i tyre është “humbja totale e besimit në strukturat politike”.
“Eksodi i javëve të fundit në Kosovë ka ardhur në radhë të parë për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës por edhe për arsye të tjera si humbja totale e besimit në strukturat politike. Migrim njohin edhe disa vendet të bashkësisë evropiane. Por mënyra se si po ndodh ky eksod në Kosovë dhe përmasat e tij janë shumë brengosëse dhe të dhimbshme. Pyetja është më tepër se nga erdhi kjo varfëri dhe mungesë perspektive? Nëse e kemi parasysh që lufta në Kosovë është kryer para 15 viteve edhe aq shumë njerëz jetojnë në varfëri të skajshme në një vend që gjeografikisht është në Evropë, atëherë duhet që ne shqiptarët në rend të parë ta pyesim veten se çka nuk ka funksionuar, cilët janë shkaktarët realë të këtij eksodi?”, shtron pyetje Zeqiri. Sipas tij njerëzit kanë pritur shumë gjatë edhe kanë duruar në situata shumë të rënda të varfërisë në të njëjtën kohë që një pjesë e madhe e udhëheqjes politike nga të gjitha partitë që e kanë shijuar sado pak pushtetin është pasuruar në mënyrë ekstreme me paratë e popullit. Në njërën anë e kemi një varfëri të skajshme të një pjese të konsiderueshme të popullit dhe në anën tjetër një pasurim të tmerrshëm të politikanëve në kurriz të popullit. Kjo nuk shkon!
Për këtë gjendje jemi ne shqiptarët në rend të parë përgjegjës. Politikanët „tanë” në vend se të angazhohen për forcim të shtetit juridik dhe tërheqje të investitorëve, në rend të parë angazhohen për pasurim personal me vjedhje të pasurisë së popullit. Me sjelljen e tyre kriminale (nuk mund ta quaj ndryshe) e kanë devalvuar shtetin juridik dhe i kanë larguar edhe ata pak investitorë potencialë që kanë mundur të hapin vende të punës në Kosovë.
“Edhe për këtë sfidë të migrimit do të gjendet zgjidhja. Jam i sigurt se populli do t`ia dalë ta ndryshojë sistemin e vlerave që një pjesë e madhe e popullit të punojë dhe të angazhohet sinqerisht për shoqërinë, familjen dhe veten. Shpresoj shumë që këtyre matrapazëve do t`u vijë fundi dhe do të përgjigjen për krimet e tyre. Kjo çfarë po bën kjo sortë e politikanëve është sikur t`i premtosh dikujt se do t`ia ndërtosh një shtëpi gratis në tokën e tij dhe pastaj t`ia marrësh edhe shtëpinë edhe tokën. Shumë njerëzve në Kosovë u është grabitur gjithçka që kanë pasur, deri te dinjiteti. Për këtë duhet të japin herdokur përgjegjësi këta vjedhës. Partive politike duhet t`u imponohen reformat nga gjeneratat e reja. Kosova është seriozisht e rrezikuar nga këta bastardë. Durimi i qytetarëve i ka kufijtë e vetë. Ata që e nënçmojnë këtë mund ta paguajnë një çmim të shtrenjtë”.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025