Shqipëria
Eja të jetosh legjendën tënde
Një eksplorim i misterit të Alpeve Shqiptare të veriut, ambientit të legjendave të kreshnikëve: Nga Kulla e Ngujimit te bujtinat e Thethit dhe më tutje drejt jugut
Jemi në Theth. Në kullën 4 shekullore të ngujimit. Sokol Koçeku, trashëgimtari i saj na uron mirëseardhjen. I veshur nga mesi e lartë me veshje popullore; jelek kuq e zi, brez të bardhë e qeleshe Dukagjini, të ndërthurura me veshje bashkëkohore, malësori elegant rreth të 40 e cave, Sokol Koçeku nis të rrëfejë për Kullën e ngujimit, shkruan albinfo.ch.
Tre shekuj në funksion të pajtimit të gjaqeve
Kulla e ngujimit, tre shekuj ka funksionuar për pajtim gjaqesh dhe ka një shekull që nuk funksionon më pasi Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ekziston tashmë. “Lind pyetja pse quhet Kullë e ngujimit dhe jo e Pajtimit. Sepse jo të gjithë pajtoheshin pasi hynin brenda. Ka qenë si puna e gjykatës, as faleshin të gjithë, as dënoheshin të gjithë” – tregon Sokoli.
Kulla e ngujimit, Theth
Kur zbret nga Kulla sheh një radhë të gjatë turistësh të huaj dhe shqiptarë që presin ta shohin e të dëgjojnë rrëfimin e Sokolit, ndërsa në dalje të oborrit të pret Maria, e bija e tij 13 vjeçare që çdo sezon, sapo përfundon shkollën, vjen prej Shkodrës dhe ndihmon të atin.
Thethi gjendet 180 kilometra larg Tiranës, prej të cilave, 132 kilometra janë të asfaltuara dhe 18 kilometrat e fundit janë off road. Nuk është e këshillueshme të nisesh për në Theth me një makinë të ulët.
Thethi është i pozicionuar në skaj të luginës së Shalës, në mes të një masivi shkëmbor prej 2400 kilometrash katrorë. Ai rrethohet nga 12 majat më të larta të Shqipërisë, prej 16 majave që ka gjithsej vendi. Pothuajse dy të tretat e parkut janë të mbuluara me drurë. Është një vend ideal për alpinistët, shkruan albinfo.ch.
Panoramë e Thethit
Dy rrugë të dërgojnë për në Theth. Njëra nga Shkodra për në Koplik e Razmë, tjetra përgjatë luginës së Shalës. Të dyja rrugët kanë të njëjtën gjatësi, rreth 90 kilometra nga Shkodra. Ne përshkojmë rrugën e Shkodrës prej 86 kilometrash. Pasi lëmë rrugën nacionale Shkodër-Han i Hotit, në zonën e Koplikut, fillojmë ngjitjen drejt maleve, me një gjatësi totale prej 45 kilometrash. Me kalimin e kohës pamja nis e ndryshon, fushave e kodrave ua lë vendin ndërthurja e maleve që sa vijnë e lartësohen duke të dhuruar një pamje madhështore. Thethi është 600-900 m mbi nivelin e detit. Përshkohet nga Lumi i Shalës që buron nga maja e Radohimës e vazhdon rrugën dhe derdhet në liqenin e Komanit.
Çifti 80 vjeçar, në “hiking”
Së bashku me ne në udhëtim është një çift të moshuarish rreth të 80-ave. Gjysh Biraçi dhe nënë Refiko të cilët me guxim të jashtëzakonshëm do të bëjnë më pas ngjitjen në Ujëvarën e Grunasit dhe të nesërmen në Syrin e Kaltër. Gjysh Biraçi, agronom thotë se ndërsa Alpet kanë maja, shkrepa, Korabi ka distina.
Këtu nis aventura: 18 kilometrat e fundit, në zbritje për në luginë janë të paasfaltura, off road por të mbushura me zhavorr. Kjo është dhe pjesa më e vështirë për njerëzit që nuk pëlqejnë aventurën…
Thethi, i lidhur me rrugë automobilistike që në vitin 1923
Në Enciklopedinë Shqiptare të botuar tri dekada më parë, shkruhet: “Thethi është fshati i parë që është lidhur me rrugë automobilistike me qytetin, që në vitin 1923”. Por për shkak të mungesës së kushteve bazike, aktualisht në Theth jetojnë gjatë gjithë vitit vetëm 25 familje.
Kudo në faqet e këtyre maleve që quhen Bjeshkët e Namura mund të jetë gdhendur nga një legjendë që përcillet nga banorët në shekuj e që në Shqipëri njihet si eposi i Kreshnikëve. Muji dhe Halili ishin dy vëllezër gjigandë sa malet, që mbronin bjeshkët nga pushtuesit. Dashuria e Halilit vëllait të vogël tregohet njësoj si dashuria e Paridit për Helenën. Vajtimi i Ajkunës nënës së tyre, si morti i Mbretit Priam për Hektorin. Shtojzovallet ishin muza e trimërisë dhe lirikës së tyre. Ato ishin perënditë e shqiptarëve. Shumë studiues të huaj shikojnë ngjashmëri të madhe të eposit shqiptar me Iliadën e Homerit. Gjithsesi kjo mbetet Iliada shqiptare, e bukur dhe e pastër. Mbani pak qetësi kur jeni të rrethuar mes malesh dhe ju do të ndjeni se ato kanë ndodhur.
Malësori me lahutë
Historia e Thethit dhe e Shalës ështe e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi, për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Coronelli është i pari që e përmend Thethin në hartën e vitit 1688, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth atë Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë, dhe me hapjen e një agjencie turistike.
Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht.
Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”. Pas ndryshimeve të ‘90–tës, hoteli i parë funksionon vetëm pjesërisht me një kapacitet prej 30 shtretërish dhe është privatizuar. Deri në vitin 1997, hoteli, që sot mban emrin “Frashnishta”, ka pritur e përcjellë shumë pushues vendas e të huaj, por me trazirat që përfshinë gjithë vendin u prish edhe rregulli i frekuentimit të zonës turistike të Thethit.
Alpinisti Georg Heinshemer, e ka konsideruar Thethin, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri.
Ujëvara e Grunasit
Arritja në Theth është sfiduese
Rruga drejt Ujvarës së Grunasit mban një orë më këmbë nga qendra e Thethit. Veshja e malit është e domosdoshme. Pavarësisht se ky që po bëjmë ne është një hiking i nivelit fillestar, shtigjet mes maleve nuk përshkohen me çdo lloj atletesh a këpucësh.
I gjithë udhëtimi shoqërohet nga gurgullima e ujit, fëshfërima e gjetheve dhe aroma e freskët e gjithçkaje që të rrethon. Befas të shfaqet madhështore ujëvara e Grunasit në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit, e lartë rreth 30 metra. Pamja është mahnitëse. Ne duartrokasim fort gjysh Biraçin, që edhe pse tek të 80-at arriti me dëshirë deri tek ujëvara për të mos e humbur pamjen e saj mahnitëse.
Në vitin 2002, Ujëvara e Grunasit është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më tërheqëse për turistët e huaj dhe vendës. Karakteristikë e ujëvarës është se uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore.
Gatime me shumë yndyrë por pa merak, do ta shkrini shpejt!
Në kthim ne ndalojmë për kafe tek Bar “Bar Jezerca”. Më pas kthehemi në bujtinë për të konsumuar darkën. Ashtu si edhe dreka çdo gjë është me prodhime të zonës. Patëllxhan të mbushur me djath, speca të mbushur, sallatë fshati, bukë e bërë vetë, dhallë, byrek, mazë dhe mish qingji i pjekur në hell. Gatimi me shumë yndyrë por mos kini frikë, digjet menjehrë nga ajri i pastër dhe ecja në natyrë.
Kështu duket një tryezë me ushqime vendore në Theth
– Ja si shkohet te Syri i Kaltër
Pas mëngjesit ne nisemi drejt Syrit të Kaltër. Në qendër të Thethit marrim furgonat e zonës të cilët kushtojnë 500 lekë për person vajtje-ardhje. (kjo nuk është e përfshirë në tarifën 7400 lekë të paketës turistike). Nëse ke dëshirë, mund të marrësh një biçikletë me qira me të njëjtin çmim. Në linkun e Tour operatorit “Zbulo” njiheni me detajet rreth ecjes malore në këtë dhe regjione tjera: https://www.zbulo.org.
Ndalojmë tek centrali i Ndërlysës, pranë rrënojave të shkollës dhe ecim drejt duke kaluar përbri fshatit tek Pusi i Zi, i cili formohet nga Lumi i Zi që zbret nga Kaprreja. Aty përballesh me një pamje mahnitëse. Vendi quhet “Vaskat”. Sapo kalon urën e sajuar me dërrasa, të del përpara një nga pamjet më mahnitëse e formuar nga gërryerja e shkëmbit nga lumi, ku janë krijuar disa vaska.
Syri i Kaltër
Për të vizituar Syrin e Kaltër duhet të ngjitesh mes shtigjesh. Ka një vështirësi pak më të madhe se ngjitja në ujvarën e Grunasit. Duke u afruar dëgjohen të bërtitura. Ata që kanë mbërritur më parë janë kredhur në ujin brisk të ujvarës. Pas pak të shfaqet Syri i Kaltër në gjithë madhështinë e tij.
Syri i kaltër është një nga bukuritë më të rralla në të gjithë Shqipërinë. Ai formohet nga Lumi i Zi, i cili buron në Majen e zezë.
Rruga e kthimit është më e lehtë. Qëndrojmë për pak në qendër të fshatit tek Bar Jezerca. Duke biseduar me Ardianin, pronarin e lokalit, ai thotë se Thethi e gjithë Dukagjini (Alpet) kanë potenciale të jashtëzakonshme për turizëm. Ka nevojë për investime sidomos në energji dhe infrastrukturë. Thethin në 2017-ën e kanë vizituar 84 mijë turistë. 42 mijë prej të cilëve të huaj. Në Theth ka 52 bujtina dhe 3 kampe.
– Hiking: Nëna Ladi që ngjet majat më të larta të Ballkanit
Lavdije Sulo 58 vjeçe, e quajtur ndryshe si nëna Ladi, prej pesë vitesh ngjit majat më të larta të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në pesë vite ka ngjitur 70% të maleve shqiptare dhe tre male në Ballkan.
Ngjitja në Alpe
Një javë më parë ajo ka qenë në Vërmosh dhe e përshkuan atë si një bukuri të jashtëzakonshme. I virgjër, me pemë qindra vjeçare që deri në lartësinë prej 1800-2000 m ka pyll e pastaj shfaqjen lëndinat pa fund. “Alpet shqiptare janë më të bukura se të pjesës tjetër të Ballkanit. Janë të ashpra, të vështira. Kanë pamje madhështore. Musallaja për shembull mbahet si mali më i lartë, por nuk ka ndonjë bukuri. Olimpi ka vështirësi, Jezerca është e vështirë. Korabi është mali ynë më i lartë, por nuk ka vështirësi. E ka ngjitur edhe nipi im 6-vjeçar. Por është madhështor, shumë i bukur”.
Lidhur me ofertat për ecje malore dhe ngjitje, më hollësisht në Adventure & Fun Albania, http://www.adventure-fun.al/. Po ashtu në faqet xx e gjeni artikullin mbi këtë tour operator, në shqip dhe gjermanisht.
Ndërsa platforma GO2 Albania (http://www.go2albania.org) ju ofron të dhëna të hollësishme rreth tureve çiklistike në Shkodër e rrethinë.
Dita e pestë në një fshat në kufi me Maqedoninë është ditë qetësie. Ëmbëlsira, kafe e shëtitje me biçikletë deri në qendër të fshatit, një kredhje në lum. Në ditën e gjashtë udhëtohet me motobike për 52 km. Dita e fundit i është rezervuar qetësisë, një shëtitje e lehtë rreth dy orë me biçikletë nëpër kodra. Me autobus shkohet në Tiranë ku festohet java e udhëtimit me një darkë të shijshme peshku.
Mali i Korabit
Por pas mbetet ende misteri i Alpeve dhe zanat e malit që përmendin emrin tënd, nën tigujt e tatatta të gjethes së frashërit. Hajde prapë, të thërrasin ato si dikur sirenat Odiseun, eja të tregosh legjendën tënde. /albinfo.ch/
(Autor i fotografive: Fation Plaku)
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve