Futboll

Egzon Binaku, futbollisti që la Suedinë për Shqipërinë

Ai ka lindur më 27 gusht 1995, është 22-vjeçar dhe luan me klubin suedez të Malmö FF

Shqipëria për herë të parë ka ftuar mbrojtësin e majtë, Egzon Binaku. Ai më herët ka luajtur për Kombëtaren U-21 të Suedisë, por që ka vendosur të marrë pasaportën shqiptare dhe të bëhet pjesë e kuqezinjve.

Binaku luan në krahun e majtë, si rol natyral, por ka provuar të bëjë edhe mbrojtësin e djathtë për nevoja të trajnerit.

Ai ka lindur më 27 gusht 1995, është 22-vjeçar dhe luan me klubin suedez të Malmö FF, përcjell albinfo.ch.

Djaloshi me origjinë nga Kosova e ka bërë debutimin e tij në “Allsvenskan” (elitën e futbollit suedez) në ndeshjen kundër Halmstads BK, më 4 maj 2015. Ai ka luajtur edhe dy ndeshje me Suedia U-21, ndërsa ka qenë pjesë edhe e kombëtares së 19-vjeçarëve të këtij vendi skandinav.

Në kampionatin e fundit suedez, Binaku është aktivizuar në dhjetë ndeshje, ose 524 minuta lojë, duke qenë titullar në pesë sfida dhe në pesë të tjera ka hyrë si zëvendësues.

Më parë, mbrojtësi në fjalë ka qenë pjesë e BK Häcken dhe IFK Åmål, po në Suedi.