Integrimi

Edona Duhanaj kërkon mundësi të barabarta arsimimi për të gjithë

"Në nivel të politikës arsimore, mundësitë e barabarta janë formuluar si synim arsimor, drejt të cilit duhet të orientohen shkollat ​​fillore dhe që duhet të shmangin çdo formë diskriminimi. Në realitet, për fat të keq, shfaqet një pamje tjetër"

Sistemi arsimor zviceran përballet me një sërë sfidash për sa u përket mundësive të barabarta dhe roli i prindërve është qendror në këtë mes. Në intervistën gjermanisht-shqip me Edona Duhanaj, pedagoge e PH, janë shqyrtuar në hollësi çështje të rëndësishme rreth mbështetjes gjuhësore, pabarazisë arsimore dhe përballjes me sfidat në shkollë.

albinfo.ch: Ju lutemi na tregoni për biografinë tuaj shkollore dhe çfarë ju ka motivuar të përfshiheni në sektorin e arsimit dhe trajnimit.

Duhanaj: Pak para ditëlindjes sime të gjashtë, kam emigruar në Zvicër me nënën time dhe dy vëllezërit e mi (atëherë) si bashkim familjar gjatë luftës së Kosovës. Babai im ka jetuar dhe punuar këtu që nga vitet 1980.
Erdhëm nga fundi i verës dhe shkolla tashmë kishte filluar. Duke qenë se tashmë dija të shkruaja dhe të numëroja, pas mbërritjes më caktuan në nivelin e 2-të të kopshtit (parashkollor). Unë u gjeta mirë, edhe pse gjermanishtja ishte një pengesë në fillim.
Megjithatë, gjatë shkollimit tim të detyrueshëm, ndjeja vazhdimisht se performanca ime e përgjithshme vlerësohej si më e keqe se ajo e shokëve të mi të klasës. Kjo u bë e dukshme në fund të ciklit të mesëm, (pas klasës së gjashtë) kur bëhej fjalë për kalimin në gjimnaz. Për shembull, më kujtohet ende kur doja të transferohesha nga ky cikël shkollor në shkollën e qarkut (progjimnaz)* . Edhe pse mesatarja ime ishte 5.2, mësuesi im në atë kohë i këshilloi prindërit e mi që të mos ma ndërronin shkollën. Arsyetimi i tij ishte se ishte më mirë të ishe një nxënës i mirë i shkollës sekondare sesa një nxënës i dobët i progjimnazit (…).

*Niveli i lartë i shkollës fillore të Aargaut është i ndarë në tre llojet e shkollave Realschule, Sekundarschule dhe Bezirksschule, ku Realschule është më i ulëti dhe Bezirksschule është lloji më i lartë i shkollës (progjimnaz).

Në fund, për fat, prindërit e mi fituan dhe unë e përfundova me sukses progjimnazin. Më pas përfundova praktikën me një diplomë profesionale dhe punova për një kohë të shkurtër në sektorin komercial për të financuar diplomën time bachelor. Disa faktorë luajtën rol në vendimin për të bërë fillimisht një praktikë me një kualifikim profesional dhe për të studiuar vetëm në një moment të mëvonshëm kohor: Nga njëra anë, unë vij nga një familje e thjeshtë e klasës punëtore, në të cilën asnjë vajzë nuk ka studiuar më parë. Nga ana tjetër, babai im ishte i vetmi mbajtës i familjes për një kohë të gjatë, ndërsa nëna ime kujdesej për gjyshërit e mi në shtëpi që kishin shumë nevojë për kujdes. Në të njëjtën kohë, tre vëllezërit e motrat e mia më të vogla kanë ndjekur shkollën e detyruar ose ishin ende në formim profesional. Kështu që e kisha të qartë se nuk duhej ta ngarkoja më shumë atë (babain).
Pas diplomimit bachelor në arsim, punova si mësuese klase në kantonin e Cyrihut dhe gjatë kësaj kohe vazhdova shkollimin duke u përfshirë në fusha të ndryshme shkollore në temën rreth pabarazisë në arsimor, migrimit (kritik) dhe përvetësimit të gjuhës së dytë. E dija që atëherë që doja të bëja një master të thelluar në këtë drejtim. Kështu, pas disa vitesh praktikë profesionale, vendosa të studioj shkenca edukative. Unë vazhdova të punoj si mësuese gjatë studimeve të masterit. Kjo gjë ndonjëherë ishte shumë e vështirë.
Studimet për shkencat arsimore ishin një pasurim i jashtëzakonshëm për mua si nga ana personale ashtu edhe nga ana  profesionale. Kjo jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për pedagogët. Gjatë kësaj kohe, unë u mora gjithnjë e më shumë me çështjet e politikave arsimore dhe zhvillova një interes për mësimdhënien. Një gjë më në fund çonte në një tjetër, dhe kështu mu dha mundësia të mësoja modulet e punës shkencore dhe të  komunikimit në institutin për shkollën fillore në fushën e shkencave sociale dhe arsimore në Universitetin e Edukimit në Bernë, në nivel bachelor.
Në vitin e ardhshëm akademik do të kaloj në Universitetin e Edukimit në St. Gallen ku do të punoj në Institutin  për shkallën sekondare I, në fushën e shkencave të edukimit, për module të ndryshme pedagogjike shkollore si docente në shkallën bachelor dhe Master. Po e pres me të vërtetë me padurim!

albinfo.ch: Deri në çfarë mase është projektuar sistemi arsimor zviceran për të siguruar mundësi të barabarta? A ka vërtet dallime në mundësitë e arsimimit midis rajoneve të ndryshme shkollore dhe çfarë roli luan sfondi arsimor i familjes?

Duhanaj: Në nivel të politikës arsimore, mundësitë e barabarta janë formuluar si synim arsimor, drejt të cilit duhet të orientohen shkollat ​​fillore dhe që duhet të shmangin çdo formë diskriminimi. Në realitet, për fat të keq, shfaqet një pamje tjetër. Studimet e viteve të fundit tregojnë se fëmijët nga familje më pak të privilegjuara në veçanti vlerësohen përgjithësisht më keq se ata nga familjet më të privilegjuara, pavarësisht nga rezultatet e tyre aktuale. Kjo ka një ndikim në përzgjedhjen: fëmijët nga familjet e pafavorizuara sociale priren të caktohen në nivele më të ulëta shkolloree.

Përkatësia etnike dhe gjinia gjithashtu duket se ndikojnë në suksesin në shkollë. Ndërveprimi i këtyre tre kategorive (por edhe të tjera) të pafavorshme rrit gjithashtu pabarazinë (edukative). Djemtë me prejardhje më të varfër dhe me prejardhje migrimi duket se janë goditur veçanërisht rëndë: në sistemin tonë arsimor, ata dalin si “humbës arsimor”.

Vendi ku jeton duket se luan gjithashtu një rol të rëndësishëm për sa u përket mundësive të barabarta arsimore. Shembulli i mëposhtëm tregon këtë:

Përqindja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në të nxënë ndryshon shumë ndërmjet kantoneve (por edhe ndërmjet komunave dhe shkollave). Në kantonin Appenzell Ausseroden, për shembull, çdo fëmijë i 200-të dhe në kantonin e Vaud-it, çdo i 25-ti fëmijë klasifikohet si me “paaftësi në të mësuar”.

“Paaftësia (të mësuarit)” ndërtohet në mënyrë shoqërore, që do të thotë se nënkupton diçka të ndryshme në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Megjithatë, ndodh edhe në Zvicër që, në varësi të vendndodhjes, komunat japin numra të ndryshëm ose japin pak burime mbështetëse dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse lindin dallimet.
Për më tepër, Raporti i Arsimit i këtij viti (2023) në Zvicër tregon se fëmijët nga familjet e pafavorizuara dhe me prejardhje migrimi kanë shumë më shumë gjasa të marrin arsim special, ndërsa shumë herë më shumë fëmijë pa sfond migrimi integrohen në shkollë “normale”. Kjo është kaq problematike sepse mund të supozohet se fëmijët që përfundojnë shkollimin e detyrueshëm me ndihmën e masave të integruara mund të marrin një kualifikim të mesëm të lartë. Nga ana tjetër, parashikohet se formimi profesional bazë do të mundësohet vetëm në raste të jashtëzakonshme për shkollat ​​speciale që kanë pasur një kurrikulë të përshtatur. Pra, ofrimi i mundësive të barabarta mbetet një nga sfidat më të rëndësishme dhe më të mëdha në sistemin arsimor.

albinfo.ch: Si prind, si e trajtoni rastin kur fëmija juaj mendon se është vlerësuar në mënyrë të padrejtë në shkollë ose ndihet i pafavorizuar nga një mësues në përgjithësi? Si e hapni një temë të tillë me fëmijën, si veproni dhe si e mësoni fëmijën tuaj të përfundojë këtë temë pa u bërë tema kryesore në drekë?

Duhanaj: Mendoj se në situata të tilla është e rëndësishme që fillimisht të bisedohet me fëmijën për këtë dhe të sqarohet pse ndihet kështu. Më pas dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të bëhet një bisedë sqaruese me mësuesin përkatës në mënyrë që të mos krijohet pakënaqësi. Kjo nuk ndihmon askënd dhe veçanërisht bëjnë që fëmijët të ndjejnë tensione të pathëna dhe të mos dinë si t’i trajtojnë ato në jetën e përditshme shkollore.
Prindërit gjithashtu duhet të kenë parasysh paraprakisht se si shfaqet ky disavantazh për fëmijën në mënyrë që të mund të fusin shembuj konkretë në debatin mbi shkollën. Për shembull, kur bëhet fjalë për notat, padyshim që ju ndihmon të merrni me vete disa kontrolle të objektivave të të mësuarit dhe t’i kërkoni mësuesit përkatës të shpjegojë çdo paqartësi. Nëse kjo nuk ndihmon, punonjësi social i shkollës është një adresë e mirë për ta konsultuar. Ose veçanërisht në rastin e konflikteve ndërpersonale, ka kuptim përfshirja e punonjësit social të shkollës. Çdo shkollë ka pika të tilla kontakti, ku fëmija mund të shkojë sipas nevojës, i vetëm ose i shoqëruar. Puna sociale e shkollës i nënshtrohet detyrës së konfidencialitetit dhe mund të ndërmjetësojë ndërmjet palëve në raste të tilla si një autoritet neutral. Por është shumë më e rëndësishme që ajo të trajnohet për të trajtuar tema të vështira në një mënyrë miqësore për fëmijët.

albinfo.ch:  Duke pasur parasysh se ka prindër të shumtë që nuk e njohin sistemin shkollor zviceran dhe ballafaqohen me probleme të ndryshme, do të ishte e dobishme të krijohej një “linjë telefonike e kujdesit” në gjermanisht dhe shqip. Shumë prindër mbeten në një lloj bllokimi për shkak të mungesës së njohurive. A mendoni se do të ishte i dobishëm dhe e realizueshëm ofrimi i një mbështetjeje të tillë apo kjo ekziston tashmë?

Duhanaj: Fatkeqësisht, ky nuk është një rast i izoluar dhe është më shumë një problem strukturor. Ka ende shumë që nuk e njohin sistemin shkollor zviceran. Kjo është arsyeja pse ka nevojë për oferta “me prag të ulët” në shkolla ku prindërit mund të marrin ndihmë dhe informacion pa pagesë. Është gjithashtu e dobishme nëse këto oferta kryhen nga njerëz që kanë një sfond të ngjashëm dhe me të cilët nxënësit dhe prindërit mund të identifikohen. Për shembull, njerëzit me prejardhje migrimi i dinë pengesat (gjithashtu ndërkulturore) të sistemit shkollor dhe mund të ndërmjetësojnë.

albinfo.ch: Gjermanishtja si gjuhë e dytë është e ankoruar fort në Lehrplan 21. Cila është rëndësia e mbështetjes së suksesshme gjuhësore për fëmijët dhe çfarë pasojash negative mund të ndodhin nëse mësimi i gjuhës gjermane gjatë shkollimit të detyruar dështon?

Duhanaj: Prindërit në përgjithësi duhet të flasin me fëmijët e tyre në gjuhën që ata dinë më mirë. Kjo bazohet në parimin se strukturat ekzistuese njohëse gjuhësore, si të thuash, transferohen në gjuhë të reja. Për këtë, megjithatë, fillimisht kërkohet një bazë solide, të cilën prindërit duhet t’i japin fëmijës.
Megjithatë, është një mendim i gabuar që fëmija ka ende kohë të mjaftueshme për të mësuar gjuhën e shkollës kur hyn në kopsht. Kjo është ajo që kam dëgjuar gjithnjë më shpesh kohët e fundit nga prindër të rinj të kulturës sonë. Në kopsht, fëmija tashmë do të ketë boshllëqe gjuhësore që nuk mund të plotësohen nga shkolla fillore. Përveç kësaj, aftësitë e pamjaftueshme ose jo-ekzistente të gjuhës shkollore në periudhën parashkollore mund të kenë edhe efekte të tjera negative. Për shembull, mund të nënkuptojë që fëmija nuk ka guxim të flasë dhe për këtë arsye gjen vështirë lidhje. Prandaj ka kuptim nëse, për shembull, shqipja, turqishtja, kroatishtja (ose një gjuhë tjetër familjare) flitet në shtëpi dhe gjuha e shkollës praktikohet vazhdimisht në mënyrë konsekuente në kontekste të tjera, për shembull kur fëmija luan me bashkëmoshatarët, kur pjekin së bashku ose gjatë aktiviteteteve të tjera.

Driter Gjukaj