Shkurt.ch

Edhe zviceranët kanë “schacat” e tyre

SVP intermnacionale, si degë e SVP(UDC) konkurron në tetë kantone me listat e veta ku bëjnë pjesë 54 kandidatë ga e gjithë bota

Nuk është vetëm diaspora e Kosovës që kërkon një përfaqësim  më meritor në institucionet e vendit prej nga vjen. Edhe mërgimtarët  zviceranë, gjegjësisht “auslandschweizer” (zviceranët e jashtëm, alias “shatz-at” e zviceranëve) kanë pretendimet e tyre për t`u përfshirë në institucionet e Zvicrës.

SVP (UDC) Ndërkombëtare ka provuar të bëhet zëdhënëse e kërkesave të këtyre mërgimtarëve, duke kërkuar që ata në zgjedhjet që mbahen më 23 tetor të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin Nacional të Zvicrës.

Kjo degë partie, madje konkurron në tetë kantone me listat e veta ku bëjnë pjesë 54 kandidatë ga e gjithë bota. Kantonet ku SVP internacionale ka listat e veta janë: Argau, Basel Stadt, Gjenevë, Graubünden, Schaffhausen, Solothurn, Schwyz dhe Zürich.

Ky numër tregon rritjen e pretendimeve të “zviceranëve të jashtëm”. Në vitin 2007 ata ishin të përfaqësuar në lista në katër kantone ndërsa në vitin 2003 vetëm në një kanton.

Por, deri më tash asnjë i tillë nuk ka mundur të zgjidhej deputet nacional. 

Në prezantimin që bënë të hënën ne Bernë, përfaqësuesit e SVP-së internacionale kërkuan forcimin e të drejtave politike të shtetasve zviceranë që jetojnë jashtë vendit. Ata kërkuan po ashtu që votimi elektronik të bëhet i mundur në të gjitha kantonet  etj. Njohja e sistemit arsimor zviceran jashtë vendit, mos cenimi i sekretit bankar për shtetasit zviceranë dhe njohja e sigurimit AHV ishin disa nga kërkesat tjera.

“Internacionalët” e SVP-së kanë kritikuar ministren e jashtme Calmy Rey për mbylljen e disa konsullatave në Evropën e mesme dhe të lindjes, që u bë para disa ditëve. Ata njëherësh kanë kërkuar nga SVP-ja amë që në të ardhmen ajo të udhëheqë me Departamentin e jashtëm të qeverisë zvicerane.