Shkurt.ch

Edhe Qeveria e Zvicrës bën “Selfie”

Nuk janë vetëm politikanët kosovarë që bëjnë "selfie" ku të munden e ku t`u teket

 Nga ethet e vetëfotografimit nuk janë të kursyer as shtetarët e Zvicrës. Në një vizitë të karakterit të ekskursionit që ata e kanë pasur të premten në kantonin Neuchatel, që është vendlindja e ministrit Didier Burkhalter, ministri Alain Berset i ka fotografuar të gjithë kolegët dhe veten.

Të gjitha fotografitë tjera, të bëra nga agjencitë e fotografive dhe nga mediet që kanë shoqëruar ekipin, nuk kanë bërë kaq shumë bujë sa kjo “selfie”. Mesazhi i saj duket të ketë qenë spontaniteti i qeveritarëve dhe harmonia që mbretëron në mes tyre.

Në fotografi duken të shtatë ministrat ndërsa për fytyrën e kancelares federale, Corina Casanova duket se nuk ka pasur vend. Pasi që ajo ka qëndruar më poshtë se të tjerët, asaj i duket vetëm një pjesë e flokëve

Këtë fotografi, ministri Berset e ka shpërndarë përmes twitterit të tij.