Lajme

Edhe për sa kohë njerëzit do të mund të bëjnë ski në Austri gjatë verës?

Në Austri ju ende mund të shijoni ski gjatë muajve të verës. Megjithatë, me shkrirjen e akullnajave, lind pyetja: edhe për sa kohë?

Nëse jeni në Austri, sezoni i skijimit nuk duhet të përfundojë edhe kur dimri të kalojë e të vijë pranvera. Edhe nëse është një fakt i njohur që akullnajat në vend po shkrihen, ju mund të shijoni pak ski gjatë muajve të verës, diçka që mund të mos jetë e mundur në të ardhmen, transmeton albinfo.at.

Ski veror në Austri

Austria është e famshme në mbarë botën për mundësitë e saj të skijimit, duke tërhequr skiatorë nga e gjithë bota që duan të shijojnë sportet dimërore në Alpet austriake, akullnajat dhe malet. Edhe gjatë muajve të verës, 11 akullnajat e vendit priren të jenë të mbushura me skiatorë entuziastë nga e gjithë bota.

Skijimi në akullnajë në Austri zakonisht fillon në fund të pranverës dhe ndonjëherë mund të vazhdojë deri në fillim të vjeshtës. Megjithatë, kohëzgjatja ndryshon çdo vit, e ndikuar nga faktorë të tillë si temperaturat, kushtet e borës dhe mirëmbajtja e akullnajave.

Ndër akullnajat më të njohura për t’u vizituar gjatë verës janë Glacier Hintertux, Stubai Glacier, Sölden Glacier dhe Kitzsteinhorn Glacier.

Akullnajat po shkrihen

Ndërsa skijimi në akullnaja gjatë verës është ende diçka që mund të shijoni, çdo vit po bëhet gjithnjë e më pak e mundur.

“Disa vite më parë menduam se ato do të zgjasnin deri në fund të këtij shekulli, por tani duket se në fund të vitit 2050, në fund të gjysmës së parë të shekullit, nuk do të ketë më akullnaja në Austri”, ka thënë për AP Andrea Fischer, glaciologe në Akademinë Austriake të Shkencave.

Ekspertë të tjerë janë më optimistë, një prej tyre është Kay Helfricht, akullnajaloge në Universitetin e Insbrukut.

“Me ngrohjen progresive, veçanërisht në muajt e verës, rreth 60 për qind e vëllimit aktual të akullnajave në Austri do të jetë zhdukur deri në vitin 2050. Natyrisht, ka modele dhe skenarë të ndryshëm, por kur bëhet fjalë për ndikimin deri në vitin 2050, ato janë në thelb pak a shumë në një mendje. Ka parashikime divergjente për kohën pasuese. Për zhvillimin nga viti 2050 e tutje, do të jetë shumë vendimtare se cilën rrugë klimatike zgjedhim tani. Deri në fund të shekullit, akullnajat pothuajse do të jenë zhdukur dhe do të mbeten vetëm maksimumi 20 për qind e akullit, kryesisht akullnajat më të mëdha aktualisht”, tha ajo.

Sjellja e akullnajave alpine në të ardhmen varet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë trashësinë e akullit të tyre, shkallën në të cilën ato janë tashmë në simetri me klimën aktuale dhe se si faktorët meteorologjikë si rrezatimi, temperatura e ajrit, reshjet dhe era do të ndryshojnë me kalimin e kohës, shkruan thelocal.

Nëse sasia e emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2) mund të reduktohet me 45 për qind brenda dhjetë viteve të ardhshme dhe më pas të eliminohen plotësisht këto emetime deri në vitin 2050, mund të jetë e mundur të parandalohet shkrirja e mëtejshme dhe të ruhen akullnajat.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne të gjithë të mësojmë të mendojmë më gjatë se sa jetët tona, sepse duhet të mendojmë për gjeneratat e ardhshme. Vendimet tona do të ndikojnë në gjeneratat e ardhshme, veçanërisht në rajonet malore”, tha për AP glaciologu Andrea Fischer.

Por nuk ka të bëjë vetëm me rrezikun e skijimit.

Ndërsa industria e skive në Austri do të goditet nga rritja e temperaturave dhe humbja e mëvonshme e akullnajave, do të ketë një ndikim më tragjik për shumë lloje të kafshëve dhe bimëve në male, si dhe për komunitetet lokale.

Do të ketë gjithashtu një ndikim në rrjedhat e lumenjve dhe në komunitetet që mbështeten në shkrirjen akullnajore për ujin e pijshëm, bujqësinë dhe energjinë hidrike.