Kosova

Edhe një vit pa viza

Franca, Holanda, Finlanda, e disa shtete tjera ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Njohësit e proceseve integruese po i kritikojnë drejtuesit e institucioneve të Kosovës se nuk po lobojnë sa duhet për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian, sidomos tek ato shtete që kanë rezerva në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen.

Franca, Holanda, Finlanda, e disa shtete tjera ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kanë konfirmuar për “Zërin” se do ta përkrahin vendin në këtë process, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, derisa shumë shtete me ndikim në BE kanë pikëpyetje për çështjen e vizave për Kosovën, zyrtarët shtetërorë në Prishtinë nuk po lobojnë sa duhet tek ato për t’i bindur shtetet skeptike.

Njohësit e proceseve integruese thonë për këtë gazetë se liberalizimin e vizave me BE-në janë duke e penguar disa faktorë, duke përfshirë këtu mungesën e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj.