Bota

Edhe një shtet çon ambasadën në Jerusalem

Guatemala thotë se po planifikon të lëvizë ambasadën e vet në Izrael drejt Jerusalemit, pas një vendimi të ngjashëm që mori edhe SHBA-ja.

Presidenti i Guatemalas, Jimmy Morales, ka thënë se vendimi ka ardhur pasi ka folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Guatemala ishte vetëm një prej nëntë shteteve që votuan kundër rezolutës së Kombeve të Bashkuara që kërkonte nga SHBA-ja të kthente prapa vendimin për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, transmeton Albinfo.ch.

Statusi i Jerusalemit është shumë i ndjeshëm. Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor si kryeqytet të tyre dhe të gjitha shtetet kanë ambasadat në Tel Aviv. Vendimi i fundit i Trumpit për njohje të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit ka shkaktuar shumë zhurmë në gjithë botën, sidomos te shtetet myslimane.