Kosova

Edhe kryeministri Hoti anulon vizitën në Washington

Është bërë e ditur se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për shkak të zhvillimeve të reja nuk do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, transmeton albinfo.ch.

Hoti, në një postim në rrjetin social Facebook, shkruan se për këtë e ka njoftuar edhe ambasadorin Richard Grenell.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë, si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marr pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Hoti.

Kujtojmë se një ditë më parë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Presidencës, lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA tashmë është njoftuar edhe Shtëpia e Bardhë.

Por ndonëse anuloi pjesëmarrjen në Shtëpinë e Bardhë, i pari i Qeverisë, nuk ka marrë vendim të tillë edhe për takimet që do të zhvillojë sot në Bruksel.

”Të gjitha takimet mbahen”, është shprehur shkurt kryeministrin Hoti.

Hoti në agjendën e tij ka të paraparë të takohet me Kryetaren e Komisionit Europian Ursula von de Leyen, Kryetarin e Këshillit të Europës, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Në këto takime Kryeministri Avdullah Hoti tregoi ditë më parë edhe temat të cilat do të diskutojnë me zyrtarët europianë.

”Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë”, pati thënë ai, njofton Klan Kosova.

Megjithatë nuk është bërë e ditur ende nëse në takim do të ketë përfaqësues të palës serbe apo jo.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3397409120320418?__xts__[0]=68.ARAG1MJ2mHrc1TyNd6h9koWSdd3p8q9Wlo99aPZZhxtk5oZpsZ1LhIcV5KhJHUAXtp9rmuXmPlP7sbXqmYXf9OdzBx8xRRxyvrgoME4080LE_vPuPCynNbavJxOpCw5pVUzaTkHblSQyPvCcQrIYMmih3B_ks7QbrMgzsyK2EuC3nXEmD_oiQDyKYjFY9FL_A64dTmgqErKzlw6H9D6JHrByQkalKixaALnp-gW0QhnZvty8Xh_g6cVkL97sOZRCFxWd6HmOAIGK9nxpRi1B1Z5YlPn0tWWtoCWVCwhjox2k7uFh6z-OmtiAGyzxIMeVP0DvyOULFcZPjVk3JnxR0Q&__tn__=-R