Edhe këtë vit NEWBORN ka një porosi për botën
E mërkurë, 17 Shkurt 2021 - 18:00
albinfo.ch
Monumenti i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, që gjendet në Prishtinë, pothuajse çdo vit dërgon një porosi nga Kosova për botën.
Ky monument, i cili tashmë është simbol i pavarësisë së Kosovës, këtë vit dërgon mbështetje për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, cilat ishin mesazhet e këtij monumentit ndër vite?
NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u krijuar në një kohë rekorde brenda 11 ditëve nga autori Fisnik Ismaili. NEWBORN-i u zbulua më 17 shkurt 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët nënshkruan ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.
NEWBORN-i është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali prej 4mm. Çdo shkronjë ka lartësi prej tri metra, që peshon përafërsisht një ton. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë.
Prej 17 shkurtit 2008, shtatë shkronjat e këtij obelisku nuk ndryshuan pamjen deri në përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës.
Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, tha për Radion Evropa e Lirë se qysh në fillim kishin dy ide si do të vazhdohej të jetësohej ky monument.
Ideja e parë, sipas Ismailit, ishte që të ruheshin nënshkrimet e 17 shkurtit 2008, duke e konservuar monumentin. Por, pasi që nuk u arrit të konservohet, u mendua që NEWBORN-i të ndryshojë pamje çdo vit.
Në përkrahje të luftës së UÇK-së
Qytetarët këtë vit kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke e treguar përkrahjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.
Një vit më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë duke u zhvilluar procese gjyqësore ndaj tyre.