Lajme

Edhe italianët: Vizitojeni Shqipërinë

Shqipëria është një vend për ata që janë të pasionuar pas aventurave, por edhe brigjeve të pashkelura. Gjithashtu edhe zonat malore ofrojnë bukuri natyrore

Shumë faqe të mëdha botërore rekomandojnë që të vizitohet Shqipëria gjatë vitit 2017. Bregdeti, vendet historike, çmimet e lira, ushqimi dhe mikpritja janë disa nga arsyet që rekomandohet të vizitohet Shqipëria.

Edhe portali italian ‘SiViaggia’, ka shkruar se Shqipëria është njëra nga destinacionet që nuk duhet humbur këtë vit për ta vizituar, përcjell albinfo.ch.

“Shqipëria është një vend në zhvillim, që ka rinovuar infrastrukturën dhe strukturën akomoduese dhe padyshim konsiderohet si një destinacion turistik për vitin 2017”, thuhet për Shqipërinë.

Këtë e thonë edhe drejtuesit e agjencive të ndryshme turistike italiane. Ombretta Fresco, drejtuese e “Dreams Beach-La Playa del Sol”, por edhe “Geo Travel”, që e njohin mjaft mirë vendin, duke qenë se prej disa vitesh realizojnë ture të ndryshme turistike në Shqipëri.

“Ka disa vite që Shqipëria është një vend që po frekuentohet shumë nga turistët evropianë. Së fundmi zonat bregdetare po popullohen kryesisht nga turistë gjermanë, britanikë, por edhe australianë e amerikanë”, tregon Fresco.

Shqipëria është një vend për ata që janë të pasionuar pas aventurave, por edhe brigjeve të pashkelura. Gjithashtu edhe zonat malore ofrojnë bukuri natyrore.