Integrimi

Edhe 36 kosovarë kapen pa letra në Gjermani

Në dy raste të ndara janë zbuluar 25 respektivisht 11 shtetas kosovarë duke kaluar me tren nga Çekia në Gjermani

Policia Federale në Dresden ka zënë 47 migrantë pa dokumente të vlefshme të cilët po udhëtonin me trena ndërkombëtarë nga Çekia. Të gjithë ata ia kishin mësyrë Gjermanisë, për të kërkuar azil. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore të gjithë u janë dorëzuar autoriteteve kompetente për të huaj të landit Sachsen, në Chemnitz.   

Në mesin e të zbuluarve më 30 dhjetor , vetëm nga Kosova kishin qenë 25 veta, në mesin e të cilëve edhe tri familje me fëmijë të vegjël. Mosha e kosovarëve të përmendur shkon nga 3 deri në 65 vjeç.

Edhe më 31 dhjetor policia ka kapur dy familje kosovare që po ashtu po udhëtonin në drejtim të Dresdenit. Bëhet fjalë për pesë persona të rritur dhe gjashtë fëmijë nga 3 deri në 43 vjeçarë, njofton Policia Federale e Gjermanisë në portalin e saj.