albinfo.ch
Kultura
Eda Zari shkrin muret me publikun në koncertin e saj në Cyrih
Me zërin e saj të magjishëm dhe me interpretimin unik prej një artisteje komplete ajo ka arritur atë që rrallë këngëtar e arrin: të thyejë barrierat në mes të saj dhe publikut dhe të shkrihet në një duke i bërë të pranishmit të këndojnë si në kor me të
Diva e muzikës shqiptare, Eda Zari i ka dhuruar publikut shqiptar dhe zviceran të premten një mbrëmje përplot emocione në koncertin e saj të mbajtur në Cyrih. Ky përjetim është pjesë e serisë së koncerteve me vlera që Fatmir Bardh Haziri me kompaninë e tij “Different Show” po i ofron publikut shqiptar prej disa vitesh. Ai ka dëshmuar edhe me këtë mbrëmje se misioni fisnik që i ka ngarkuar vetes ia ka vlejtur.
Eda Zari mbrëmë, ashtu sikurse edhe të tjerët më parë në këtë seri, si Elina Duni, Alban Skenderaj pastaj bendet “Troja”, “Jericho”, etj. me vlerat që kanë sjellë në mesin e mërgatës së këtushme shqiptare, po arrijnë të sfidojnë “kulturën” e tallavasë, e cila është ngulitur kaq fort në shijen muzikoree të shqiptarëve, sidomos atyre në diasporë, shkruan albinfo.ch.
Eda Zari me zërin e saj të magjishëm dhe me interpretimin unik prej një artisteje komplete ka arritur atë që rrallë këngëtar e arrin: të thyejë barrierat në mes të saj dhe publikut dhe të shkrihet në një duke i bërë të pranishmit të këndojnë si në kor me të.
Repertori i Eda Zarit, ishte ai që e njohim, një përpunim mjeshtëror në xhaz i melosit burimor nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo nuk mjaftohet me dhënien e ngjyrimit të xhazit por e shtrin dhe e thellon këngën shqiptare duke i dhënë asaj edhe dimensione të reja, të paimagjinueshme por pa e tradhtuar shtratin ku e ka burimin ajo këngë. Me këndimin e ëmbël por dhe me një ambitus të fuqishëm që e vinte në veprim kur nevojitej, Eda sillte në skenën e Cyrihut magjinë e këngës shqipe nga malësitë dhe ultësirat e jugut e të veriut shqiptar, gjithmonë duke i falur asaj pa kursim xhevahire nga shpirti dhe dija e saj e thellë e muzikës, jo vetëm shqiptare.
Mbrëmja me Eda Zarin ishte një përjetim i veçantë edhe për një gjë: në një pjesë të koncertit asaj iu bashkua edhe këngëtarja tjetër e xhazit, simotra e saj nga Zvicra Elina Duni. Të dyja bashkë i ofruan publikut një dhuratë të çmuar muzikore dhe e morën atë në një udhëtim të këndshëm me këngën e bukur shqiptare, . Të dyja, në Cyrih kishin ardhur pothuajse drejtpërdrejt nga veriu i Shqipërisë, gjegjësisht nga Valbona, ku ato bashkë me shumë artistë të tjerë e kanë nisur misionin e tyre për shpëtimin e kësaj perle të natyrës shqiptare.
Dy paraqitje të shkëlqyera që i paraprinë koncertit të Eda Zarit, vëllezërit Patrik e Floris Zejnullahu me këngë në njërën anë dhe babë e bir Ali e Ron Atiqi me kitarë klasike në anën tjetër, bënë që përjetimi i kësaj mbrëmjeje të ishte edhe më i plotësuar dhe i pasuruar.
albinfo.ch ka qenë partner medial i koncertit në Cyrih. Eda Zari ka dhënë një intervistë për mediumin tonë, të cilën do ta publikojmë këto ditë.
(Fotot: Alban Hamza dhe Armend Berisha)
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje