Shëndetësi

E rrallë: Në QKUK i heqet tumori 10-kilogramësh një gruaje

 (Foto ilustrim)

Një ekip mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë  të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka kryer një operacion të komplikuar te një grua, duke ia larguar një cistë nga vezorja, i cili peshonte 10 kilogramë.

Gjatë intervenimit, pacientes i janë ruajtur organet reproduktive (mitra dhe vezorja), njoftohet se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut do të lirohet shumë shpejt në shtëpi, përcjell albinfo.ch.

 Shef i Repartit të Operativës, Zef Ndrejaj, ka thënë se gjatë karrierës së tij është rasti i parë me përmasa kaq të mëdha.   

“Është një tumor i vezores, faktikisht cistë e vezores së djathtë. Janë raste të shpeshta, por jo në këtë përmasë. Prej përvojës sime  20-vjeçare, është rasti i vetëm që e kam parë me këto përmasa”, theksoi Ndrejaj.

Operimi ka zgjatur dy orë dhe është realizuar me Thikën Ultrasonike (Ligashurën), një pajisje  që e bën  ndërhyrjen më të shpejtë e më të lehtë dhe, veç prerjes, kryen edhe qepjen, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë.

Klinika e Gjinekologjisë është pajisur me këtë aparaturë vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK, me qëllim që të ofrohen shërbime më cilësore për pacientin. Pacientja V. K. kishte menduar se është shtatzënë, por pas ultrazërit gjinekologu i kishte rekomanduar operimin.