Shkurt.ch

E majta vazhdon të qeverisë me Gjenevën

Përbërja e ekzekutivit të Gjenevës: katër politikanë të majtë dhe vetëm një nga tabori i djathtë

Qeveria e qytetit të Gjenevës, edhe pas zgjedhjeve që u mbajtën dje, vazhdon të mbetet në duart e shumicës së majtë.

Përbërja e ekzekutivit të qytetit të dytë më të madh të Zvicrës nuk ndryshon: katër politikanë të majtë dhe vetëm një nga tabori i djathtë do të qeverisin Gjenevën edhe në katër vitet që vijnë.

Të katër kandidatët nga partitë e majta, arritën kuotën e nevojshme për tu zgjedhur. Prej tyre, numrin më të madh të votave e ka fituar Sami Kanaan nga Partia Socialdemokrate.

Pas tij radhiten kolegia e tij partiake Sandrine Salerno, përfaësuesja e të Gjelbërve Esther Alder si dhe Remy Pagani, nga Alternativa e majtë. Vendin në ekzekutivin e qytetit e ka ruajtur edhe përfaqësuesi i FDP-së, Pierre Maudet.

Kanaan dhe Alder zgjidhen për herë të parë në këtë post.

Ndryshe nga sa ishte pritur, lëvizja populiste e djathtë MCG, kësaj radhe nuk ia doli të bënte ndonjë depërtim me peshë.

Në zgjedhjet parlamentare të Gjenevës, që u mbajtën para një muaji, lëvizja në fjalë kishte shënuar një ekspansion të vërtetë. Ndërsa në zgjedhjet e djeshme, në gjithë kantonin, vetëm një përfaqësues i MCG-së ia doli të zgjidhej anëtar qeverie. Ai është Eric Stauffer, i cili këtë e arriti që komunën Onex.

Në zgjedhjet e mbajtura dje pati një pjesëmarrje të qytetarëve me të drejtë vote prej 36.5 për qind.