Lajme

E hoqi maskën sapo iku policia, u kap dhe u dënua me 500 franga

Sapo u larguan policët, ai e hoqi maskën nga fytyra. Mirëpo ndërkohë në vend u kthye patrulla e njëjtë e policëve të cilët e panë atë sërish pa maskë...

Ka ndodhur në një tren nga Lucerni në Erstfeld: Policët e transportit kanë zbuluar një 46-vjeçar i cili nuk kishte vënë maskë, shkruan zentralplus.ch. Pasi ata i kërkuan ta vinte maskën, ai e vuri.

Por vetëm për pak kohë: Sapo u larguan policët, ai e hoqi maskën nga fytyra, transmeton albinfo.ch. Mirëpo ndërkohë në vend u kthye patrulla e njëjtë e policëve të cilët e panë atë sërish pa maskë.

Tani ,policët e transportit ndërmorën veprimin e vendosur: në vend të një paralajmërimi sikur herën e parë, ata e raportuan personin në fjalë te prokurori publik i Zugut.

Zyra e prokurorit publik tani ka gjetur se refuzuesi i maskës në transportin publik ishte fajtor për “shkelje të ligjit federal mbi organet e sigurimit të kompanive të transportit në transportin publik”.

Dhe, kjo i kushtoi shtrenjtë atij: 46 vjeçari u dënua me një gjobë prej 250 frangash dhe duhet të paguajë po ashtu edhe taksën prej 250 frangash, përcjell albinfo.ch. Kështu, udhëtimi pa vënie të maskës atij i kushtoi plot 500 franga.

Për krahasim: rruga Luzern-Erstfeld me biletën gjysmë çmimi kushton vetëm 9.70 franga. Edhe pasagjerët që udhëtojnë pa biletë kalojnë shumë më lehtë: Ata paguajnë gjobën në mes 90 dhe 160 frangash.