Shkurt.ch

E djegin të gjallë vrasësin e dy fëmijëve

Ky është rasti i 234-t i linçimit publik që është shënuar në Guatemala vetëm gjatë vitit të fundit

Një turmë banorësh të një fshati të Guatemalës, të zemëruar në kulm me një vrasës të dy fëmijëve ka marrë ligjin në duart e veta dhe e ka mbytur atë në mënyrën më barbare. Pas rrahjes nga turma, personin e sulmuar e kanë lyer me benzinë dhe e kanë djegur të gjallë. 

Ky duket të mos jetë rasti i parë që në Guatemalë linçohen njerëzit. Besimi në drejtësinë e shtetit është veçanërisht i ulët në fshatrat indigjene të këtij vendi. Julio Saquil, 35 vjeçar, i dehur kishte hyrë në mësonjëtoren e një shkolle të fshatit që është 190 km nga kryeqyteti. Me një shpatë ai u kishte vrarë në mënyrën më mizore dy fëmijë, duke u hequr kokën vajzës 8 vjeçe Evelyn Yanisa Saquij Bin dhe djalit 13 vjeç Juan Armando Coy Cal.

Pas kësaj një turmë e zemëruar e kishte zënë vrasësin dhe kishte filluar ta godiste me gurë dhe me shkopinj. Pastaj, mësuesit e tërbuar i hodhën benzinë dhe ia vunë zjarrin. Kur erdhën zjarrfikësit, Saquil ishte tashmë i vdekur.

Ky është rasti i 234-t i linçimit që është shënuar në Guatemala vetëm gjatë vitit të fundit. Siç bëjnë të ditur organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, gjatë këtyre linçimeve kanë gjetur vdekjen 40 persona.