Lajme

Dyqan pa qira për prodhuesit e Kosovës

Digjitalizimi nuk është më veçse një fjalë trendi apo vizion që e aspirojnë shumë biznese të vogla dhe të mesme në Kosovë. Pandemia dhe mbyllja gjatë vitit 2020 u shndërruan në sfidë dhe mundësi edhe për bizneset e Kosovës që të përshtaten, të transformohen dhe të evoluojnë

Zhvendosja e punës online, rritja e pranisë në internet dhe procesi i digjitalizimit janë bërë tashmë pjesë thelbësore e strategjive të bizneseve në Kosovë. Kjo lëvizje është e domosdoshme që bizneset të përshtaten me realitetin e ri dhe t’u mbijetojnë sfidave si pasojë e COVID-19. Eksperimentimi me kanale të ndryshme online për shitje, zhvendosja e operacioneve krejtësisht online ose rritja e pranisë online ishin disa nga veprimet që kompanitë vunë në lëvizje shumë shpejt pas krijimit të situatës nga pandemia.

Platforma www.shitjaonline.com u zhvillua si përgjigje ndaj nevojave të shumë bizneseve të vogla për t’u bërë pjesë e e-tregtisë. Krejt çka bizneset duhet të kenë për t’u bërë pjesë e kësaj platforme është një kompjuter dhe qasje në internet. Platforma më pas menaxhon shitjen e produkteve në emër të tyre. Pra, bizneset nuk duhet të investojnë shumë për prani online. Ata paguajnë vetëm tarifën e abonimit vjetor.

Në përkrahje të partnerëve nga sektori privat për ta bërë këtë transformim, projekti  Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim që implementohet nga organizata zvicerane Swisscontact, ndërmori aktivitete për t’iu mundësuar qasje në këtë platformë me çmime të përballueshme. Bizneset që përkrahen janë nga sektori i ushqimit dhe përbërësve natyrorë, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kafeterive (HORECA), turizmi, ku përfshihen edhe prodhuesit e produkteve artizanale.

“Pandemia COVID-19 ka prekur të gjitha bizneset në Kosovë. Megjithëse pagesa e abonimit në ShitjaOnline nuk është e lartë, shumë biznese nuk mund ta përballojnë duke pasur parasysh situatën aktuale, madje hezitojnë të investojnë. Prandaj, vendimi i PPSE-së për të bashkëpunuar me bizneset ishte në kohën e duhur dhe i rëndësishëm, pasi tani jemi në gjendje jo vetëm ta ofrojmë këtë mundësi për më shumë biznese, por edhe ta avancojmë platformën më tej”, thotë Zana Tabaku, themeluese e kompanisë Appdec që ka zhvilluar këtë platformë.

PPSE bashkëfinancon 60% të kostos së konfigurimit dhe 50% të kostos së abonimit për një vit, ndërsa klientët bashkëfinancojnë 40% të kostos së konfigurimit dhe 50% të kostos së abonimit për një vit. Kostot e konfigurimit përfshijnë: dizajnimin, mbajtjen, vendosjen e dyqanit në platformë, trajnime në distancë për klientët se si të përdorin platformën, mirëmbajtje dhe mbështetje.