Lajme

Dy trena përplasen në tunel: 11 udhëtarë të lënduar

Tre persona të lënduar janë dërguar në spital me autoambulanca për sqarime të mëtejshme, ndërsa një person i prekur është dërguar në spitalin e Sionit me helikopter

Dy trena janë përplasur në një tunel afër lokalöitetit Oberwald (Valis) të premten në mëngjes. Njëmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime të lehta, bën të ditur Policia e Kantonit të Valisit, shkruan srf.ch.

Përplasja ka ndodhur rreth orës 10 të mëngjesit në tunelin Stephan-Holzer, njoftohet nga  Matterhorn Gotthard Bahn, transmeton albinfo.ch. Një tren që transportonte makina dhe vinte nga Oberwald në drejtim të Realp (UR) ka goditur në krahun e djathtë një tren rajonal nga Andermatt (UR) i cili qarkullonte në drejtim të Oberwald.

Shtatë nga gjithsej 11 të lënduarit kanë marrë përkujdesjen e nevojshme nga personeli mjekësor në vend të aksidentit, u shpreh një zëdhënës i policisë kantonale të Valisit për Agjensinë e lajmeve Keystone-SDA.

Tre persona të lënduar janë dërguar në spital me autoambulanca për sqarime të mëtejshme, ndërsa një person i prekur është dërguar në spitalin e Sionit me helikopter.

Megjithatë, ekipi mjekësor në vend konstaton se nuk ka pasur asnjë person të lënduar rëndë, përcjell albinfo.ch. “Thjesht,masat janë marrë për siguri”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Mathias Volken.

Linja Matterhorn Gotthard Bahn midis Ulrichen dhe Realp  është mbyllur. Ajo do të mbetet e mbyllur deri të paktën në fund të orarit të udhëtimeve të të premtes. Si zëvendësim në këtë linjë janë organizuar autobusët.

Kompozicioni i trenit të makinave përbëhej nga një lokomotivë me nëntë vagonë dhe ishte i ngarkuar me rreth 15 automjete. Ndërsa treni rajonal, i përbërë nga një lokomotivë dhe pesë vagonë, kishte rreth 30 udhëtarë.